Lidhje

Parlamenti vendosi vazhdimin e privatizimit


Parlamenti i Kosovës refuzoi me shumicë votash kërkesën e partive në opozitë për ndërprerjen e procesit të privatizimit

Parlamenti i Kosovës, vendosi në favor të vazhdimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore e publike. Me shumicë votash, ai refuzoi mocionin e partive opozitare për ndërprerjen e procesit të privatizimit.

Votimi pasoi një debat ndërmjet opozitës dhe partive në pushtet për shkak se Partia Demokratike kishte hedhur propozimin për miratimin e një Rezolute për vazhdimin e procesit të privatizimit.

Polemikat përfunduan me hedhjen në votim të mocionit të opozitës por pa Rezolutën, që u cilësua e panevojshme, meqë nuk u miratua kërkesa për ndërprerjen e privatizimit.



Debati për privatizimin ishte kërkuar nga lëvizja Vetëvendosje dhe mbështetur nga partitë tjera opozitare, të cilat ngritën shqetësime për një proces të dëmshëm që siç është thënë, në vend që të ndihmojë, po e rëndon situatën ekonomike në Kosovë.

Javën e kaluar puna e parlamentit u përshkua me debate të ashpra lidhur me këtë proces, që përfshinë edhe deputetët e Partisë Demokratike në pushtet. Në një paraqitje të pazakontë, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fajësoi bartësit e pushtetit për procesin e siç tha ai, të keq të privatizimit në Kosovë. Zoti Krasniqi tha se Parlamenti duhet të kërkojë ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ta ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend.

Por, përfaqësuesit e qeverisë thanë se privatizimi është proces i domosdoshëm.

Procesi i privatizimit i filluar pak pas luftës në Kosovë vazhdimisht ka nxitur debate, por ato janë shtuar me afrimin e planeve për privatizimin e ndërmarrjeve me të mëdha publike dhe më fitimprurëse në Kosovë, siç është Posta dhe telekomi i Kosovës, që tashmë është në fazën tenderuese.
XS
SM
MD
LG