Lidhje

Shqetësime për procesin e privatizimit të PTK-së


Ekspertët e cilësojnë lajm të keq tërheqjen e “Albright Capital Menagment”, nga konkurrenca për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë presin që deri në fund të këtij muaji të hapet tenderi për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, tenderi do të jetë më i varfër me oferta pasi që “Albright Capital Menagment”, një ndër katër kompanitë e para kualifikuara për blerjen e këtyre aksioneve është tërhequr nga konkurrenca. Një përfaqësues i kësaj kompanie që drejtohet nga ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright tha se “është vendosur të ndiqen mundësi të tjera që ofrojnë më shumë mundësi suksesi për investitorët”.



Autoritetet nuk e kanë komentuar këtë tërheqje. Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare STRAS, Ibrahim Rexhepi dhe drejtori ekzekutiv i institutit Riinvest, Lumir Abdixhku, thanë se ky është lajm jo i mirë për procesin.

Ibrahim Rexhepi
Ibrahim Rexhepi
Tërheqja e një kompanie serioze, një kompanie e cila lidhet me një emër shumë të madh flet për dobësimin e ofertës dhe dobësimin e konkurrencës në këtë transaksion që e ka në plan t bëjë qeveria e Kosovës. Kur e sheh listën e kompanive të mbetura, tërheqja e fondacionit Albright së bashku me kompanitë tjera si ofertuese është megjithatë një sinjal shumë i keq për Kosovën, një sinjal që qeveria e Kosovës duhet ta kuptoj në mënyrë shumë serioze se çka po ndodh në relacionin Kosovë me investitorët nga bota perëndimore”, tha zoti Rexhepi.

Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Një lajm i tillë gjithsesi është jo i mirë për Kosovën, por mos të themi se është befasues meqenëse në një proces të mbrapshtë daljet e tilla janë shumë të pritshme. Është një proces po themi që ka filluar mbrapsht me shumë polemika, me shumë dyshime, afera skandaloze, afera korruptive dhe një kompani serioze si Albright Group ose një grup serioz perëndimor nuk e gjen veten mirë në këtë situatë. Ata që e gjejnë vetën mire në këtë situatë janë kryesisht biznesmen oriental, turq kryesisht të cilët përshtaten lehtë në ambientin e tanishëm ekonomik siç ka ndodhur deri më tani”, tha zoti Abdixhiku.

Ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ishte një nga ish zyrtarët e lartë amerikan që kanë shfaqur interesim për të qenë pjesë e investimeve në Kosovë. Në këtë kuadër interesim kanë shprehur edhe ish komandanti i lartë i NATO-s Wesley Clark, ambasadori James Pardew etj. Vëzhgues të ndryshëm kishin pohuar se fakti që personalitete të tilla që në Kosovë cilësohen si heronj për shkak të rolit të tyre në proceset politike, përfshihen në procesin e privatizimit mund të ndikonte në cilësinë e investimeve. Por, ekspertët thonë se Kosova nuk është në gjendje të zgjedhë shumë dhe aq më pak të mos orientohet ndaj miqve të saj.

Në situatë të tillë ne zakonisht duhet të orientohemi ndaj miqve tanë. Ndonëse në biznes pak pritet të ketë miq, por orientimet strategjike ekonomike janë normale për çdo vend. Një vend i orienton sektorët kryesorë siç janë telekomi në radhë të parë, minierat ose industritë tjera drejt vendeve që kanë të paktën mendime ose kahje politike - ekonomike të njëjtë me ne. Pra, Kosova ka interes që të marr miq investitor por jo në kurriz gjithsesi të çmimit final. Për t'iu shmangur kësaj situate, Kosova është dashur të caktojë së pari pragun minimal të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe pastaj të gjejë individ të caktuar që janë kryesisht ndoshta miq të Kosovës dhe që kanë interesa të dyanshme me vendin tonë”, tha zoti Abdixhiku.

Unë mendoj se Kosova iu ka borxh këtyre njerëzve. Ai borxh në çfarë forme do të kthehet nuk është aq shumë për të diskutuar, por ata nuk duhet harruar meqenëse kurdoherë në çfarëdo forme ata do të shkruhen në historinë e zhvillimit të kësaj shoqërie ose në historinë e zhvillimit të shtetit të Kosovës”, tha zoti Rexhepi.

Tërheqja e grupit Albright sipas ekspertëve flet për faktin se cilësia e procesit të shitjes së aksioneve të Postës dhe telekomit është dobësuar shumë dhe madje mund të cilësohet i rrezikuar.

Procesi u rihap në verën e vitit të kaluar pas dështimit të tij në vjeshtën e vitit 2010, me gjithë kundërshtimin e një pjese të forcave politike në opozitë dhe organizatave sindikale që vlerësojnë se privatizimi i kësaj kompanie që është më fitimprurësja në Kosovë, duhet të ndodhë vetëm me një pajtim në shkallë të gjerë.
XS
SM
MD
LG