Lidhje

Kosovë: Akuzë ndaj kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri


Prokuroria e posaçme e Kosovës tha të martën se ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri nën dyshimet për veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar.

Sipas aktakuzës, në të cilën zoti Haziri identifikohet vetëm më nistorët e tij, ai, "duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose për persona tjerë të përfitojë çfarëdo dobie, duke ua shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankand publik".

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se "i pandehuri më 13 qershor të vitit 2014, ka marrë vendim për shpalljen publike për dhënien me qira të parkingjeve brenda qytetit të Gjilanit. Ndërkaq, më 1 gusht të vitit 2014, lidhur me këtë Ankand publik, ka nënshkruar kontratën në mes të Komunës së Gjilanit, të cilën e ka përfaqësuar, dhe përfaqësuesit - pronarit të NTP “S.O. BEZI ” F.H.

Pas një muaji jo të plotë përfaqësuesi i kompanisë NTP “ SO. BEZI”, ka bërë kërkesë për ndryshimin e kontratës, ku ka kërkuar që të reduktohet kontrata duke i hequr disa parkingje që nuk kanë sjell fitime të mira. Me datën 09 tetor 2014, duke mos i respektuar dispozitat e neneve 4 dhe 5 të Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, i pandehuri ka nënshkruar Aneks Kontratën me numër 630 në mes të Komunës së Gjilanit dhe përfaqësuesit - pronarit të NTP “ SO. BEZI” F.H".

Me këtë aneks kontratë, thuhet në njoftim "komuna e Gjilanit është dëmtuar në vlerë prej 168 mijë euro, duke llogaritur për çdo vit nga 33 mijë e 600 euro, pasi që kontrata është e nënshkruar për 5 vjet".

Sipas aktakuzës, i pandehuri me këto veprime ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është zgjedhur kryetar i komunës së Gjilanit në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

XS
SM
MD
LG