Lidhje

Protestë në mbështetje të ish-kryeministrit Haradinaj


Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili vazhdon të mbahet në Francë. Zoti Haradinaj ishte ndaluar dy muaj më parë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe që e akuzojnë atë për krime lufte.

Protestuesit bënë thirrje për lirimin e tij dhe kritikuan institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë sa duhet për kthimin e tij në shtëpi.

Ambasadori William Walker, ish drejtues i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha se arrestimi i Ramush Haradinajt nga Franca është diçka e turpshme si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për lirimin sa më të shpejtë të tij.

Unë dikur mendoja që sistemi i drejtësisë në Francë është nga më të mirët në botë. Ajo çfarë ka ndodhur me heroin e Kosovës në Francë për mua është turp. Unë qëndroj këtu në solidaritet me të gjithë ju, me këdo në botë që beson në drejtësi të vërtetë, dhe jo përdorim të drejtësisë për qëllime politike. Jam këtu për të shprehur solidaritetin tim me Ramush Haradinajn që ai të kthehet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe të harrojmë këto marrëzi që po vijnë nga Beogradi çdo ditë si përpjekje për ta penguar pavarësinë dhe paqen e këtij shteti të ri të mrekullueshëm”, tha ambasdaori Walker.

Deputeti i parlamentit të Kosovës, Daut Haradinaj, tha se Serbia duhet të ndalë përpjekjet për ta destabilizuar shtetin e Kosovës. Sipas tij tash është koha kur qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkret, siç janë ndërprerja e bisedimeve me Serbinë deri në kërkim falje nga kjo e fundit, dhe kundërshtimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

E kanë rastin unik tu thonë stop padrejtësive, stop padrejtësive etnike, ne jemi për drejtësi e jemi për gjykatë speciale nëse serbët që kanë kryer krime dhe kanë vra mbi 12 mijë shqiptarë në Kosovë do të përgjigjen, atëherë ajo është drejtësi, nuk ka drejtësi etnike, duhet të ketë drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës. E në fund të fundit e kanë rastin unik që Kosovën ta bëjnë me ushtri”, tha zoti Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ju drejtua nga Franca nëpërmjet një video mesazhi protestuesve duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj tij. “Nëse qëndrojmë në rrugën tonë dhe të drejtën tonë, do ta fitojmë të drejtën tonë të jetojmë të lirë në tokat tona në vendin tonë”, thuhej ne mesazh.

Të enjten një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, vendosi që të shtyjë për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Zoti Hardainaj tha se e konsideron veten "peng politik" dhe procesi është një "abuzim me ligjin dhe drejtësinë".

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kërkesa që kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të Beogradit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG