Lidhje

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë


Përleshje të rrepta përshkuan një protestë në Prishtinë me kërkesat për shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe mbrojtjen e kompleksit të minierave Trepça

Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe "topa" uji për të shpërndarë një protestë në Prishtinë, me moton “Jashtë Jablanoviç – Trepça është e jona”, në të cilën morën pjesë mijëra veta.

Grupe protestuesish hodhën gurë e gjësende të forta mbi policinë, e cila tha se ndaj tyre janë hedhur edhe shishe me benzine dhe mjete tjera.

Përleshjet e sotme janë më të rëndat që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

Policia tha se të paktën 56 pjesëtarë të saj dhe rreth 30 protestues janë lënduar gjatë përleshjeve, ndërsa në polici janë shoqëruar mbi 100 protestues.

Përleshjet që zgjatën për pothuajse pesë orë, pushuan diku rreth orës 17 dhe aktualisht në qendër të qytetit është rivendosur qetësia. Në sheshin qendror ende shihen pasojat e dhunës që lanë pas vetes edhe shumë dëme materiale në pronat shtetërore dhe ato publike.

Policia tha se ndërhyrja e saj pasoi veprimet e dhunshme të një pjese të protestuesve që u nxitën, siç thuhet nga fjalimet e udhëheqësve të protestës.

Ndërkaq, Vetëvendosje akuzoi policinë për dhunë të tepruar dhe të paprovokuar.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se policia dhe krerët e qeverisë ishin fajtor për shkallëzimin e situatës.

Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave, por nuk tha se kur do të organizohet protesta e ardhshme. Ai tha se për këtë do të ketë një bashkërendim me subjektet dhe shoqatat tjera që i mbështesin këto protesta.

Protesta ishte organizuar nga lëvizja Vetëvendosje e mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare, me kërkesën për shkarkimin e ministrit për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviç dhe qartësimin e statusit të kompleksit të minierave Trepça.

Qeveria e Kosovës nuk përmbushi “ultimatumin” e shtruar në protestën e së shtunës, që këto kërkesa të përmbushen deri të hënën në orën 16.

Shume qytete të Kosovës u përfshinë në protesta gjatë ditëve të fundit kundër ministrit për komunitete dhe kthim, Aleksandër Jablanoviç, i cili i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar. Ai kërkoi falje për deklaratën, por protestuesit thanë se kërkim falja nuk mjafton.

Qeveria ritheksoi se fati i kompleksit të minierave Trepça sikurse edhe të gjitha pasurive tjera të Kosovës, do të vendoset nga institucionet e saj.

Të hënën e kaluar parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve dhe pasurisë së tyre, në mënyrë që t'i hapet rrugë riorganizimit të Trepçës. Por, qeveria hoqi dorë nga synimi për ta shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike. Ajo tha se e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi, meqë Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që ajo të hyjë në procesin e likuidimit. Ajo tha se për Trepçën do të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet prej 1 miliardë e 400 milionë eurosh që ka ky kompleks. Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit

Opozita akuzoi qeverinë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se ai është pronari kryesor i Trepçës dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG