Lidhje

Vazhdojnë protestat ndaj ministrit Jablanoviç


Në Gjakovë u protestua të shtunën me kërkesat për shkarkimin e ministrit për kthim dhe komunitetet në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviç

Në Kosovë kanë vazhduar reagimet ndaj ministrit për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jablanoviç, i cili i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan ditë më parë një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti.

Mijëra qytetarë protestuan të shtunën në këtë qytet në Kosovën perëndimore duke kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shkarkimin e tij.

Më 6 janar, një grup qytetarësh serbë kishin mësyrë kishën ortodokse të Gjakovës për një vizitë me rastin e krishtlindjeve ortodokse, Familjarë të personave të zhdukur gjatë luftës kishin bllokuar rrugën për të mos lejuar vizitën, meqë siç thuhet, në mesin e vizitorëve kishte edhe njerëz që kishin marrë pjesë në mizoritë e forcave serbe në këtë qytet. Gjakovë është ndër zonat më të dëmtuar gjatë luftës në Kosovë.

Ministri Jablanoviç, i quajti “egërsira” protestuesit, ndërsa më pas tha se komentet e tij nuk ishin drejtuar ndaj familjarëve të personave të zhdukur, por ndaj atyre që kishin qëlluar me copa akulli autobusin me të cilin po udhëtonin pelegrinët serbë. Me gjithë këtë, ndaj tij janë organizuar protesta me kërkesat për dorëheqje për shkak të siç thuhet fyerjes së familjarëve të të zhdukurve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa të premten i i cilësoi të pamatura komentet e ministrit të tij, ndërsa nënvizoi se anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të merren me punën dhe përgjegjësitë e tyre të përditshme, dhe jo me agjenda politike.

Po ashtu ai bëri thirrje që të pushojnë protestat, që sipas tij, nuk flasin për respekt ndaj familjarëve të të zhdukurve.

Respekti është që ne të krijojmë kushte që të pagjeturit të kthehen ose të kthehen së paku eshtrat e të pagjeturve. Respekti është që ne të punojmë me qeverinë e Serbisë dhe me serbët, që ata të na ndihmojnë në këtë proces dhe unë nuk e shoh kundërshtimin edhe të këtyre njerëzve që i kemi në qeveri që ata nuk do ta bëjnë këtë punë. Unë mendoj se këtë proces nuk mund të zhvillojmë kështu, përmes protestave përmes fushatës, por duhet ta zhvillojmë përmes bashkëpunimit dhe qetësisë”.

Organizata politike dhe të shoqërisë civile kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave për shkarkimin e ministrit Jablanoviç, anëtar i Listës serbe, një subjekt politik i themeluar dhe i mbështetur nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG