Lidhje

Protesta të serbëve kundër bisedimeve Kosovë-Serbi


Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan në veriun e Mitrovicës kundër marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe fillimit të funksionalizimit të doganave në vendkalimet kufitare ndërmjet dy vendeve në veri.

Organizatorët e protestave, që janë drejtues të komunave paralele që nuk njihen nga Prishtina dhe autoritetet ndërkombëtare, thanë se nuk do të pranojnë asnjëherë të jetojnë në Kosovën e pavarur. Ata i cilësuan marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, si përpjekje për t’i detyruar me dhunë serbët e veriut të Kosovës, që të integrohen në institucionet e Prishtinës.

Një nga përfaqësuesit e serbëve në veri Kërstimir Pantiç, tha se qeveria e Serbisë nuk duhet të presë nga serbët e veriut që të heshtin dhe të pranojnë të jetojnë në shtetin e Kosovës.

Mbajeni në mend ju armiqtë e popullit serb. Nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të lejojmë që të na e rrëmbeni Kosovën”, tha ai, duke nënvizuar se kjo nuk do të ndodhë as me çmimin e dëbimit apo vrasjes së serbëve në veri. Kërstimir Pantiç mban edhe postin e zëvendës drejtorit të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Shefi i tij Aleaksandër Vulin ndodhet po ashtu sot në Kosovë me lejen e autoriteteve të Prishtinës, pos tjerash për të vizituar edhe zonat ku janë dëmtuar varrezat serbe gjatë disa incidenteve të pasqaruara që pasuan heqjen e një pllake përkujtimore në Preshevë, kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Sot qeveria e Kosovës vendosi të ndajë një fond prej 97 mijë eurosh për riparimin e varrezave të dëmtuara.

Aleksander Vulin

Aleksander Vulin

Pezullohen nga puna dy zyrtarë të policisë

Policia tha se po siguron vizitën e zyrtarit serb, ndërsa po sot dy pjesëtarë të policisë janë pezulluar në kuadër të hetimeve lidhur me trajtimin e nëntë pjesëtarëve të komunitetit serb, që ishin ndaluar gjatë krishtlindjeve ortodokse në Graçanicë afër Prishtinës.

Të ndaluarit, pasi ishin lënë të lirë, kishin deklaruar se janë rrahur gjatë kohës sa mbaheshin në polici.

Të nëntë pjesëtarët e komunitetit serb ishin ndaluar nga policia e Kosovës gjatë kremtimit të krishtlindjeve ortodokse, në Graçanicë më 7 janar dhe u ishte caktuar masa e ndalimit 48 orësh.

Sipas policisë “personat e dyshuar ishin ndaluar pasi që gjatë përcjelljes së shefit të zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin, që ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës kishin sjellje dhe veprime të dyshimta”.

Autoritetet serbe thanë ky ishte një veprim i motivuar politikisht dhe se veprimet e tilla mund të dëmtojnë edhe procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces pritet të vazhdojë gjatë muajit të ardhshëm me takimin e ri ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç dhe këto bisedime shihen si një nga kushtet kryesore për afrimin e të dyja palëve me Bashkimin Evropian.

Në kuadër të përpjekjeve për të shtyrë papara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në fillim të muajit shkurt pritet edhe një takim ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG