Lidhje

Protestë me kërkesën për lirimin e Fatmir Limajt

  • Leonat Shehu

Qindra ish pjesëtarë të UÇK-së, kërkuan largimin e EULEX-it, pas arrestimeve të fundit të bashkëluftëtarëve të tyre.

Me thirrjet për përmbylljen e mandatit të EULEX-it, disa qindra ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuan para ndërtesës së këtij misioni në qendër të Prishtinës, duke kërkuar lirimin e bashkëluftëtarëve të tyre nga paraburgimi. Ata kundërshtuan mbajtjen në paraburgim të njërit prej ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare, Fatmir Limaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë nën akuzat për krime lufte.

Më 25 nëntor një gjykatës i EULEX-it urdhëroi dërgimin në paraburgim të deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe tre të tjerëve pak ditë pasi që Gjykata e lartë e Kosovës vendosi të kthejë në rigjykim zotin Limaj i cili që shpallur i pafajshëm në maj të këtij viti për akuzat për krime lufte.



Muharrem Xhemajli nga Shoqatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare, tha se mbajtja në paraburgim e tyre është e pakuptimtë.

Mbajtja e tyre në paraburgim me arsyetimin se mund t'i ikin drejtësisë është absurde. Vendimi për caktimin e masës së paraburgimit është i pabazuar në ligj, tendencioz dhe për të kënaqur apetitet e Beogradit”, tha ai.

Protestuesit thanë se nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj burgosjes së ish luftëtarëve, ndërsa u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rishqyrtojnë qëndrimin ndaj misionit të Bashkimit Evropian...

Duke e konsideruar të panevojshëm këtë mision, ne si organizata të dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përsërisim kërkesën që Kuvendi i Kosovës t'i heq kompetencat ekzekutive të këtij misioni famëkeq dhe të ndërpritet njëherë e përgjithmonë persekutimi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zoti Xhemajli.

Mbajtja në paraburgim e zotit Limaj nxiti reagime të shumta në Kosovë, përfshirë edhe autoritetet më të larta të vendit që e cilësuan këtë si një veprim të papranueshëm dhe siç është thënë fyerje për drejtësinë. Ky qëndrim që nxiti reagimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili bëri thirrje për shmangie nga komentet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë e ishte shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Më 29 nëntor kjo Gjykatë shpalli të pafajshëm edhe ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për të dytën herë nga të gjitha akuzat për krime lufte.
XS
SM
MD
LG