Lidhje

Protesta në Prishtinë në mbrojtje të ish UÇK-së


Protestat pasuan fillimin e hetimeve ndaj shtatë personave të dyshuar për krime lufte, në mesin e të cilëve dhe drejtues të lartë të ish UÇK-së.

Mijëra veta protestuan sot në Prishtinë kundër hetimeve që po zhvillohen ndaj shtatë pjesëtarëve e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën dyshimet për përfshirje në krime lufte.

Javën që lamë pas, një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, vendosi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për shtatë persona të dyshuar “për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Sipas EULEX-it, ata civilë janë mbajtur në qendrën e ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt. Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte”.

Protestë në mbrojtje të ish UÇK-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00


Në mesin e të dyshuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish UÇK-së. Në të njëjtin grup janë edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, të gjithë ish pjesëtarë të UÇK-së.

Veprimtari i njohur Adem Demaçi, i cili gjatë luftës ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se lufta e shqiptarëve ishte e pastër dhe çlirimtare.

Ne ju thërrasim që të mendoheni mirë se kujt do t'i thoni kriminel. Nuk janë kriminel ata që luftuan për lirinë e popullit vet dhe për shpëtimi ne popullit të vet nga shfarosja prej çetnikëve dhe neo-fashistëve të Beogradit”, tha zoti Demaçi.

Ndërsa, Ismail Elezi, e Xhavit Jashari nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare, thanë se EULEX-it duhet t’i hiqen fuqitë ekzekutive.

Sot më shumë se kur na duhet unifikim i përpjekjeve dhe qëndrimeve që Kosova si shtet të bëjë hapin më të mirë që ka bërë pas shpalljes së pavarësisë, merr vendim për ndërprerjen e misionit të EULEX-it, në të kundërtën do të jetë e vështirë të mbahet nën kontroll zemërimi i luftëtarëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”, tha zoti Elezi.

Ne sot nuk kemi dalë të protestojmë kundër faktorit ndërkombëtarë dhe miqtë tanë që u rreshtuan përkrahë luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që e rreshtuan përkrahë bashkëluftëtarëve tanë të cilët padrejtësisht sot po akuzohen dhe po mbahen nëpër burgje. Ne sot këtu nuk protestojmë vetëm kundër atyre të cilët i morën bijtë më të mirë të kombit në Drenicë, por po protestojmë ndaj faktorit EULEX, ndaj të gjithë atyre që pas përfundimit të luftës insistuan ta kriminalizojnë dhe ta njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zoti Jashari.

Avokatët mbrojtës të të dyshuarve thanë se kanë apeluar vendimin meqë, gjykata ka vendosur pa asnjë provë për atë që pretendohet nga prokuroi i çështjes.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.
XS
SM
MD
LG