Lidhje

Imamët e arrestuar të mërkurën – në paraburgim 30 ditësh


Një gjykatë në Prishtinë shqiptoi masën e paraburgimit 30 ditësh për personat e arrestuar gjatë kësaj jave nën dyshimet për veprimtari radikale

Gjykata Themelore në Prishtinë, vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për 14 personat e arrestuar të mërkurën nën dyshimet për vepra penale “kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Masa e paraburgimit u është shqiptuar për shkak të dyshimeve për përfshirje në veprat të ndryshme penale siç janë: shpëlarja e parave, nxitje për kryerjen e veprave terroriste, nxitje e urrejtjes, përçarjes ose e mos durimit kombëtar racor fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, thirrje për rezistencë, organizim dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

Arrestimet e së mërkurës, ishin pjesë e operacioneve të filluara gjatë muajit të kaluar kur u arrestuan mbi 40 persona nën dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe në Irak përkrah organizatave të shpallura terroriste, Al Nusra dhe ISIS, rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes e mosdurimit kombëtar, racor e fetar.

Një pjesë e tyre dyshohet si ishin përfshirë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste.

Operacioni i filluar më 11 gusht ishte me i madhi deri tash pas shqetësimeve në rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të enjten u shpreh e shqetësuar me ndalimin disa imamëve të saj të mërkurën duke shprehur besimin “në pafajësinë e tyre, përderisa organet e drejtësisë nuk e dëshmojnë të kundërtën”.

Ajo u bëri thirrje qytetarët, që siç thuhet, “me qetësi e maturi të presin vendimin e organeve të drejtësisë, larg çdo politizimi e polarizimi, tendence e keqkuptimi. Kontributi më i mirë për vendin, shtetin dhe fenë në këtë situatë të krijuar, është qetësia dhe besimi në institucionet e vendit”, thuhej në reagim në të cilin Bashkësia Islame, shprehet e përkushtuar “në kultivimin dhe interpretimin e mësimeve islame për paqe, respekt, tolerancë e mirëkuptim, larg urrejtjes, ekstremizmit dhe dhunës”.

XS
SM
MD
LG