Lidhje

Kosovë: Përfundon muaji i Ramazanit


Kosovë: Përfundon muaji i Ramazanit
Kosovë: Përfundon muaji i Ramazanit

Udhëheqës politikë e fetarë të Kosovës përgëzuan sot besimtarët islamë me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit me thirrjet për paqe e tolerancë dhe me dëshirën për përfundim pozitiv të debateve për Kosovën të paralajmëruara për nesër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Nga Nju Jorku ku po qëndrojnë në përpjekje për të penguar rezolutën serbe për Kosovën, udhëheqësit më të lartë të Kosovës thonë se Kosova ka qenë gjithmonë një shembull i rrallë i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i harmonisë në mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare. Ata kanë shprehur besimin se Kosova do të dalë fituese edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në këtë frymë janë edhe urimet e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava.

“Jemi gjeneratë me fat, që zoti na zgjodhi të jemi dëshmitarë të ngjarjeve të rëndësishme për popullin tonë, si rënia e komunizmit, luftën për çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj, hyrjen e Shqipërisë në NATO, fitoren tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe tani bashkërisht po ndërtojmë procesin për integrimin e vendeve tona në Bashkimin Evropian. Presim që edhe nesër në Asamblenë e OKB-së të dalim fitimtarë e Kosova përfundimisht të zërë vendin e saj në OKB”, tha Myftiu Tërnava.

Zoti Tërnava tha se në këto ditë kremteje të besimtarëve duhet vlerësuar punën e të gjithë atyre që kanë dhënë ndihmesën e tyre për Kosovën.

“Për këto rezultate duhet t'u jemi mirënjohës gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetër kanë dhënë kontributin e tyre përfshirë këtu kontributin që miqtë tanë ndërkombëtarë po japin për realizimin e shtetësisë së Kosovës”.

Duke uruar besimtarët, Myftiu Tërnava vuri theksin në virtytet e përmbledhura në librin e shenjtë.

“Kurani mbështet konceptet e moralit, dashurisë e mëshirës, përkushtimit të sakrificës, tolerancës dhe paqes. Besimtari i pajisur me këto virtyte përhap dashuri, respekt, harmoni e kënaqësi te të gjithë njerëzit që janë të prirë të punojnë vepra të mira”, tha ai.

Myftiu Tërnava se Islami nëpërmjet agjërimit i ka çliruar besimtarët nga veset e këqija duke i udhëzuar për respekt ndaj njëri tjetrit dhe për ngritjen e një shoqërie njerëzore në të cilën gjykon dashuria hyjnore e ngritur mbi parimet e fuqishme të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG