Lidhje

Kundërshtohen planet që një rrugë të marrë emrin e Slobodan Millosheviçit


Qeveria e Kosovës kërkon nga një komunë serbe që të heq dorë nga planet që një rruge të saj t’i vërë emrin e ish presidentit serb Slobodan Milosheviç

Qeveria e Kosovës paralajmëroi një komunë me shumicë serbe në lindje të vendit që të heq dorë nga propozimi që një rruge të saj t’i jap emrin e ish presidentit serb, Slobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte.

Kuvendi i komunës së Ranillugut, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës, pritet të rishqyrtojë një vendim të vitit të kaluar për t’i vënë një rruge emrin Slobodan Milosheviç.

Fshati Ranillug i banuar me shumicë serbe është shndërruar në komunë me procesin e decentralizimit që ishte paraparë me planin e ish krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në një komunikatë për medie ka theksuar se ajo dhe Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë të vazhdueshme, kanë vëzhguar dhe po e vëzhgojnë këtë proces, që nga miratimi i Kuvendin Komunal të Ranillugut, të emërtimeve për rrugët, për t’u siguruar që ky vendim të harmonizohet me dispozitat e ligjit për sistemin e adresave si dhe akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Në komunikatë thuhet se “ky vendim nuk është në fuqi, por në procedurë të rishqyrtimit, ashtu siç është përcaktuar me ligj”. Gjithashtu, në komunikatë thuhet se të dyja ministritë do të marrin masat përkatëse ligjore nëse nuk respektohen rekomandimet rreth emërimit të rrugëve kur ato janë të papranueshme.

Mbi 10 mijë qytetarë të Kosovës janë vrarë dhe mbi 5 mijë janë zhdukur, ndërsa rreth një milion ishin dëbuar gjatë luftës në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Ish presidenti serb, Slobodan Millosheviç, ishte akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid për rolin e tij gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë.

Ai u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Hagë më 11 mars të vitit 2006.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës. Ajo vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është angazhuar ndërkaq në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në përpjekje për të përshpejtuar procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG