Lidhje

Kosovë: Varrosen eshtrat e Isa Boletinit


Në fshatin Boletin afër Mitrovicës, sot u bë varrimi i eshtrave të Isa Boletinit, një nga personalitetet kryesore të pavarësisë së Shqipërisë.

Eshtrat e Isa Boletinit, njërës prej figurave kryesore të pavarësisë së Shqipërisë, u varrosën të mërkurën në fshatin Boletin afër Mitrovicës, një fshat në pjesën veriore të Kosovës, që është edhe vendlindja e tij. Një prej personaliteteve kryesore të luftës për çlirimin nga sundimi osman dhe kundër pushtimit serb të Kosovës, Isa Boletini u vra në Podgoricë të Malit të Zi në vitin 1916. Varrimi i eshtrave të tij u bë në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, një Kuvend i vitit 1878 kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane. Varrimi u parapri nga një ceremoni e veçantë në qytetin e Mitrovicës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vuri theksin tek përmasat e figurës së Isa Boletinit.

Kosovë: Varrosen eshtrat e Isa Boletinit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:08 0:00

Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpall pavarësinë e shtetit shqiptar. Isa Boletini është Hero i Kosovës, dhe si i tillë duhet të ketë nderimin e të gjithë neve dhe të gjithë qytetarëve. Isa Boletini nuk është vetëm simbol i unitetit shqiptar, simbol i vetëflijimit për lirinë dhe prosperitetin e kombit të tij, por është edhe një simbol i jashtëzakonshëm i luftës dhe flijimit për lirinë universale njerëzore”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova dhe Shqipëria sot janë ndryshe nga periudha kur Isa Boletini me shokë bënin luftë dhe diplomaci për lirinë e Shqipërisë.

Në kancelaritë diplomatike të perëndimit, ku dikur e çove zanin e Kosovës, sot janë miqtë më të mirë të lirisë dhe të shtetit tonë. Ne po punojmë bashkë me ta, që Kosovën ta bëjmë përditë e më të mirë, më të sigurt, më demokratike, më prosperuese për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve etnike apo fetare që ata kanë. Është koha të rehatohesh edhe ti Bacë. Të jesh mirë, sepse mirë janë, edhe Kosova, edhe Shqipnia!”, tha zoti Veseli

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani tha se Isa Boletini me Ismail Qemalin, që njihet si babai i pavarësisë së Shqipërisë, janë etërit e projektit politik të shtet formimit. Sot, tha ai Shqipëria dhe Kosova, janë shndërruar në faktor të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe me partnerë të mëdhenj siç janë Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe NATO-ja.

Ndaj tyre duhet të jemi mirënjohës për mbështetjen pakufi kur mizoria e kasapit të Ballkanit rrezikonte edhe ekzistencën e shqiptarëve. Çdo joshje tjetër, çdo lloj propaganda dhe çdo zë i çjerrë që tenton të mbjellë përçarjen ndaj nesh është thjeshtë një antishqiptar. Shqiptarët shquhen për harmoninë e tyre fetare. Me Besën dhe burrninë shqiptare duhet të izolojmë çdo shfaqje që komprometon të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Këtë të ardhme e shohim në dialog miqësi dhe bashkëpunim me fqinjët. E shohim si proces që do të shëroj plagët e së kaluarës. Jo duke u bazuar tek harresa por tek reflektimi. Ku më shumë se para këtij memoriali të këtij burri të madh, të njërit prej etërve të kombit shqiptar do të t’i thosha këto fjalë. Sepse gjithçka që bëri dhe na la Isa Boletini, na çon në këtë drejtim. Nga dinjiteti dhe identiteti”, tha presidenti Nishani.

Rivarrimi kishte nxitur debate të shumta pasi që më 14 maj të këtij viti qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës vendosën që eshtrat e tij të prehen në Vlorë krah atyre të Ismail Qemalit. Por, reagimet ndaj këtij vendimi bënë që ai të ndryshojë dhe kjo të bëhet në Boletin, kryesisht nën arsyetimin se ajo është vendlindja e tij dhe heqja dorë do të ishte lëshim kundrejt përfaqësuesve serbë që nuk e shohin me sy të mirë këtë rivarrim dhe simbolikë e sovranitetit të Kosovës në veriun e saj të banuar me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG