Lidhje

RPK, mbrojtje për Visar Duriqin


Organizata tha se gazetari Duriqi ka marrë kërcënime me vdekje, përfshirë kërcënime me prerje koke nga grupe radikale në Kosovë. Reagon edhe Asociacioni i gazetarëve të Kosovës

Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”, është shprehur e shqetësuar për shkak të kërcënimeve ndaj gazetarit të Gazetës Express në Kosovë, Visar Duriqi. Organizata i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ta marrë në mbrojtje gazetarin Duriqi, “i cili është i specializuar në Islamin politik. Ky gazetar ka pranuar disa kërcënime me vdekje, duke përfshirë kërcënime me prerje koke, që nga koha kur një grup radikalësh e kanë akuzuar për braktisje të fesë. Fakti që Visar Duriqi ka marrë më shumë se 10 kërcënime do të duhej t'i alarmonte autoritetet për seriozitetin e kësaj situate. Në raportimet e tij, ai vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen se në Kosovë ekzistojnë grupe ekstremiste. Kjo e rritë shqetësimin për sigurinë e tij”, thuhet në reagimin e organizatës e cila konstaton se gjendja e sigurisë së Duriqit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe kërcënimet ndaj tij duhet të merren seriozisht.

Organizata citon zotin Duriqi të ketë thënë se nuk ndjehet aspak i sigurt, prandaj bën thirrje që qeveria t'i sigurojë atij mbrojtje policore dhe të hapen hetime ndaj kërcënuesve.

Mbulimi i çështjeve islamike dhe ekstremizmit fetar është bërë burim i shqetësimeve të grupeve radikale në Kosovë. Ai ka përshkruar se si të rinjtë myslimanë po indoktrinohen dhe ua mbushin mendjen të shkojnë në Siri për t'ju bashkuar grupeve xhihadiste. Ai ka vënë dritë mbi qëllimet terroriste të anëtarëve të caktuar të komunitetit radikal mysliman”.

Javë më parë autoritetet arrestuan mbi 40 shqiptarë nën dyshimet për përfshirje në radhët e organizatave tashmë të shpallura terroristë nga komuniteti ndërkombëtarë, Al Nusra dhe ISIS. Shërbimet e zbulimit thonë se mbi 100 qytetarë të Kosovës mund të jenë të përfshirë në luftërat në Lindjen e Mesme.

Në pranverë, Parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

“Reporterët pa kufij” thanë në reagimin e tyre se fakti që edhe policia ka ndërmarrë disa operacione për shkatërrimin e rrjeteve xhihadiste që operojnë në Kosovë, konfirmon se shkrimet e zotit Duriqi për veprimtarinë e grupeve radikale islamike kanë qenë plotësisht të sakta.

Ata tërheqin vërejtjen se Kosova radhitet e 80-ta për shkallën e lirisë së shtypit, nga 180 vende të përfshira në vlerësimet e kësaj organizate.

Të mërkurën edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi ashpër kërcënimet me jetë ndaj gazetarit Duriqi. Në reagimin e kësaj organizate thuhet se “kërcënimet e ngjashme dhe neglizhenca e autoriteteve të sigurisë në vend karshi veprimeve radikale janë shqetësim serioz për jetën e gazetarëve”, ndërsa kërkohen hetime serioze ndaj të gjitha palëve të përfshira.

XS
SM
MD
LG