Lidhje

Kosova përkujton diplomatin Larry Rossin


Autoritetet në Prishtinë ngushëlluan SHBA-të me rastin e vdekjes së diplomatit Larry Rossin, që kishte shërbyer në misione të ndryshme në Kosovë.

Udhëheqës institucionesh e partish politike në Kosovë, ngushëlluan sot qeverinë e Shteteve të Bashkuara më rastin e vdekjes së diplomatit, Larry Rossin, i cili për një kohë ishte pjesë e misioneve ndërkombëtarë në Kosovë.

Diplomati Rossin ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë.

Në përfundim të luftës në Kosovë, zoti Rossin mori postin e shefit të Zyrës Amerikane, e cila ishte shkatërruar nga forcat serbe.

Më pas ai u rikthye në Kosovë në postin e zëvendësshefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara. Diplomati që ka mbajtur poste të ndryshme në Departamentin amerikan të shtetit, kohët e fundit ishte i angazhuar në NATO.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj dhe shefa partish politike ngushëlluan qeverinë amerikane, duke vlerësuar lart angazhimin e zoti Rossin, të cilin e cilësuan si mik të madh të Kosovës.
XS
SM
MD
LG