Lidhje

Dënohet sulmi ndaj Radio Televizionit të Kosovës


Në Kosovë është dënuar ashpër sulmi i së hënës mbrëma brenda oborrit të pasëm të ndërtesës së Radiotelevizionit publik.

Ndërtesa e Radio Televizionit të Kosovës u godit të hënën në mbrëmje pas orës 22 me një granatë dore dhe ka kaluar pa pasoja në njerëz.

​Policia edhe më tej nuk ka dhënë hollësi rreth këtij sulmi dhe as për autorët apo motivet e mundshme të tij, ndërsa tha se sulmi po hetohet si vepër penale "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm".

Drejtues të RTK-së thanë se në kohën e shpërthimit brenda hapësirave të tij kishte gazetarë dhe punonjës të tjerë të cilët janë tronditur nga shpërthimi i fuqishëm.

Qeveria e Kosovës e dënoi ashpër incidentin duke e cilësuar si sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë.

Qeveria u bëri thirrje organeve përgjegjëse që të zbardhin këtë rast dhe të vënë para drejtësisë "kryesit dhe nxitësit e këtij akti të shëmtuar. Qeveria e Kosovës, po ashtu, u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike që në diskursin e tyre publik të mos etiketojnë, sulmojnë dhe linçojnë mediat publike dhe private, në funksion të respektimit dhe të mbrojtjes së fjalës së lire”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, e dënoi sulmin që, sipas tij, paraqet një veprim kriminal dhe "që në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cenojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike. Ne jemi shtet demokratike dhe nuk mund të lejojmë asnjëherë që dhuna dhe metodat e frikësimit të ndikojnë në lirinë e mediave, agjendën shtetërore dhe debatin politik”, thuhet në reagimin e zotit Veseli.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet komunikate për opinion ka thënë se nuk pajtohet me sulmin e mbrëmshëm ndaj Radio Televizionit të Kosovës. "Jo sepse RTK-ja e sotme simbolizon fjalën e lirë, por sepse nuk mendojmë që sulmet e tilla me bomba ndihmojnë ndonjë kauzë të drejtë në Kosovë". Në komunikatë thuhet më tej se ”me tentimin për ta lidhur Vetëvendosjen me sulmin e mbrëmshëm në RTK, menaxhmenti i këtij televizioni e konfirmoi përfundimisht që RTK-në e kanë shndërruar në propagandues klasik të qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje ka shumë kohë që i bënë thirrje RTK-së të mos i shërbejë Thaçit, Veselit dhe Mustafës si altoparlant agjitacioni. Kapja e RTK-së është dëshmuar përmes uzurpimit të pozitave drejtuese nga militantët partiakë; është dëshmuar nga përgjimet dhe po dëshmohet vazhdimisht nga politikat redaktoriale të këtij medium”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se sulmi i mbrëmshëm në oborrin e RTK-së, "është një akt kriminal dhe i dënueshëm, dhe mbi të gjitha i kalkuluar për të krijuar një situatë të paqëndrueshme, që nuk mund të jetë në interes të askujt.

Përtej që është një sulm i orientuar kundër lirisë së medias, e cila është bazament i çdo demokracie, kjo është një ngjarje e shëmtuar. Sulmet e fundit, duke përfshirë edhe këtë të mbrëmshmin kundër RTK-së, shtrojnë urgjencën e mobilizimit të organeve të rendit dhe të drejtësisë, që të zbardhen rastet dhe sulmuesit të nxirren para drejtësisë. Çdo vonesë në këtë drejtim, krijon një atmosferë të pasigurisë që mund të ketë pasoja të pariparueshme", thuhet në reagimin e kësaj partie.

Nisma për Kosovën e konsideron "të pa pranueshme përdorimin e mjeteve të dhunës për çfarëdo arsye qoftë", ndërsa u bëjnë thirrje që organet e rendit që sa më shpejt ta kryejnë detyrën e tyre dhe kryesit e këtij akti t'i nxjerrin para drejtësisë.

Sulmi është dënuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sipas të cilit ai është një veprim kriminal dhe duhet të dënohet “Sulme të tilla kanë për qëllim ushtrimin e presionit dhe frikës mbi gazetarët”.

SHBA, BE dhe OSBE dënojnë sulmin mbi RTK-në

Ambasada amerikane dënoi sulmin mbrëmshëm, duke e vlerësuar atë "si një sulm shtesë kundër demokracisë në Kosovë dhe përparimit të mundimshëm të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Një grup i vogël i të pafytyrëve tanimë ka shtuar edhe një sulm mbi lirinë e mediave në listën e saj të sulmeve kundër parimeve demokratike dhe vlerave euro-atlantike. Kosova është më e mirë se kaq. Ambasada amerikane fuqimisht përkrahë përpjekjet e institucioneve Kosovare për sundimin e ligjit në hetimin e këtyre krimeve. Qëndrojmë pranë qytetarëve të Kosovës duke i kundërshtuar ata të cilët më parë do të shërbeheshin me taktika terroriste, sesa me ato të njerëzve të lirë dhe demokratik", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e dënoi sulmin e mbrëmshëm, duke theksuar se “RTK-ja është institucion kombëtar i rëndësishëm i themeluar nga qytetarët e Kosovës dhe i themeluar për qytetarët e Kosovës. Një sulm mbi te është kërcënim ndaj lirisë së shprehjes dhe interesave të qytetarëve të Kosovës".

Duke shprehur shqetësimin për "këtë sulm tashmë të dytë mbi një institucion publik gjatë disa javëve të fundit. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të mos shprehin mospajtimet e tyre përmes mjeteve që dëmtojnë pronën ose që mund t’u shkaktojnë dëm jetës së njerëzve", thuhet mes tjerash në reagim.

Sulmi u dënua edhe nga shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, dhe përfaqësuesja e e kësaj organizate për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç.

Jam i tmerruar nga sulmi ndaj RTK-së në kohën kur kishte ende njerëz që punonin brenda ndërtesës. Ky duket të jetë akt frikësimi dhe e dënoj atë në mënyrën më të fuqishme. Ky është sulm ndaj një institucioni të rëndësishëm publik dhe ndaj lirisë së shprehjes,”, citohet të ketë thënë ambasadori Schlumberger.

Duke u shprehur e lehtësuar që nuk ka pasur të lënduar në sulm, Mijatoviç citohet të ketë thënë se "ky është një sulm i pastër në medien e lirë dhe në shoqërinë në tërësi, të cilin e dënoj në kuptimin më të fuqishëm të fjalës. Besoj se ky incident do të hetohet shpejt dhe në tërësi.”

Ky është sulmi i dytë brenda këtij muaji ndaj objekteve të institucioneve publike.

Rastet kanë pasuar një periudhë tensionesh politike. Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Më një shtator Parlamenti i Kosovës pritet të debatojë projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, me gjithë kundërshtimet e partive opozitare.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG