Lidhje

Dënohet sulmi ndaj shtëpisë së drejtorit të RTK-së


Institucionet, partitë politike dhe shoqatat e gazetarëve e dënuan ashpër sulmin e së dielës mbrëma në pjesën e pasme të shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Mentor Shala.

Dënohet sulmi ndaj banesës së drejtorit të RTK
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Shpërthimi që kaloi pa dëme në njerëz ndodhi të dielën rreth 22 e 10 minuta.

Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, që ka tronditur tërë lagjen. Mjeti shpërthyes është hedhur prapa shtëpisë sime. Në shtëpi kemi qenë e gjithë familja. Fatmirësisht nga ky shpërthim askush nuk është lënduar”, citohet të ketë thënë zoti Shala.

Policia ka filluar hetimet por nuk ka dhënë asnjë hollësi për autorët apo motivet e mundshme të këtij shpërthimi.

Sulmi është dënuar gjerësisht në Kosovë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se sulmi I mbrëmshëm është një “akt i shëmtuar dhe i papranueshëm kriminal. Sulmet kriminale ndaj drejtuesve të medieve dhe familjeve të tyre kërcënojnë drejtpërdrejt privatësinë, mendimin dhe fjalën e lirë, njëherësh duke dëmtuar seriozisht imazhin e Kosovës”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Qeveria e Kosovës tha se "ky akt kriminal, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si një prej vlerave më të rëndësishme në shoqërinë e Kosovës".

Qeveria e Kosovës, me këtë rast, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të partive politike "që të heqin dorë nga gjuha e dhunës, ultimatumet, kërcënimet dhe shantazhet që së fundi i kanë adresuar ndaj RTK-së dhe disa mediave tjera private, të cilat janë pasuar me sulme të tilla", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Parlamenti i Kosovës dënoi sulmin duke e cilësuar atë "një veprim kriminal që në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cenojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike. Republika e Kosovës nuk do të lejojë asnjëherë që dhuna dhe metodat e frikësimit të ndikojnë në agjendën shtetërore, lirinë e mediave dhe debatin politik”, thuhet në reagim.

Sulmi u dënua edhe nga lëvizja Vetëvendosje ku nëpërmjet një komunikate theksojnë se “ne nuk jemi dakord me metodat që po përdoren së fundi ndaj disa institucioneve publike dhe individëve. Ne po ashtu e ritheksojmë që menaxhmenti i RTK-së është i kapur dhe e ka shndërruar këtë medium në propagandues të Qeverisë", thuhet mes tjerash ne reagim.

Sulmi u dënua edhe nga partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Nisma për Kosovën të cilat e kanë konsideruar të pa pranueshme përdorimin e mjeteve të dhunës për çfarëdo arsye qoftë".

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi sulmin si "një veprim kriminal për të cilin autorët duhet t'i nënshtrohen përgjegjësisë penale. Sulmet kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë, posaçërisht atyre që punojnë në televizionin publik", thuhet mes tjerash në reagim.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur e shqetësuar me hedhjen e granatës natën e kaluar në shtëpinë e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. “Jemi të brengosur për ciklin e dhunës në Kosovë që po bëhet çdo ditë e më serioz. Asnjë mosmarrëveshje për ndonjë çështje nuk mund ta justifikojë përdorimin e armëve vdekjeprurëse kundër dikujt, e aq më pak kundër fëmijëve”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

Shpërthimi i së dielës, pasoi sulmin e 22 gushtit në ndërtesën e Radiotelevizionit të Kosovës që po ashtu kaloi pa dëme në njerëz.

Rastet kanë pasuar një periudhë tensionesh politike. Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Më një shtator Parlamenti i Kosovës pritet të debatojë projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, me gjithë kundërshtimet e partive opozitare.

XS
SM
MD
LG