Lidhje

Përurohet shtatorja e presidentit Rugova

  • Leonat Shehu

Në Prishtinë, sot u përurua shtatorja e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili u cilësua si ati themeltar i shtetit të Kosovës.

Në një ceremoni solemne në qendër të Prishtinës,, sot u zbulua shtatorja e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke folur në këtë ceremoni, pasardhësja e tij në postin e presidentes, Atifete Jahjaga tha se kjo është një ditë historike kur nderohet presidenti themeltar i Kosovës.

Me veprimtarinë e Dr. Ibrahim Rugovës ndërlidhet rënia e komunizmit në Kosovë, ndërlidhet organizimi i jetës shumëpartiake dhe ndërtimi i parlamentarizmit, që u hapi rrugë ideve dhe koncepteve demokratike të ndërtimit të shoqërisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të ndërtimit të bashkëqeverisjes në platformën zhvillimore të shtetit. Presidenti Rugova na lidhi përjetësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend lider demokratik, mbrojtëse e popujve të lirë, dhe me vendet e Bashkimit Evropian”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa që është edhe kryetar i Prishtinës tha se kryeqyteti po e nderon njeriun që e krijoi idenë e pavarësisë së Kosovës, që këtë ide e shndërroi në besim dhe që këtë besim suprem e përjetësoi me themelimin e shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Prishtina dhe Kosova përkulen sot para kujtimit të dijetarit, burrështetasit të parë të Kosovës, misionarit e prijësit shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova. Kosova nderon sot Atin e saj themeltar. Prandaj, kjo ditë shtatori, na bën krenarë që jetuam dhe punuam në shekullin e Ibrahim Rugovës”, tha zoti Mustafa.

Më 21 janar të vitit 2006, presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë, pas një beteje me kancerin në mushkëri. I doktoruar në fushën e letërsisë, Dr. Ibrahim Rugova, ishte presidenti i parë i Kosovës dhe udhëheqësi 16 vjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
XS
SM
MD
LG