Lidhje

FSK shndërrohet në Forcë të Armatosur


Qeveria e Kosovës shpalli zyrtarisht shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës që do të kenë 8 mijè trupa.

Qeveria e Kosovës, vendosi sot që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë, si dhe Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës.

FSK
please wait
Embed
FSK

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00


Vendimi i qeverisë pasoi siç u tha “propozimin e Komitetit Drejtues për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë që ka përfshirë një proces me qasje gjithëpërfshirëse, transparente dhe që përfshiu të gjitha institucionet e Qeverisë për t’i radhitur dhe forcuar institucionet e sigurisë së Kosovës në pajtim me parimet Euro-Atlantike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Në mbledhjen e sotme te qeverisë u tha se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci tha se themelimi Forcave të Armatosura “është në të mirë të vendit, në të mirë të qytetareve tanë pa dallim etnik, fetar apo orientimi politik. Kjo është në të mirë të gjithë rajonit, pa përjashtime. Është në interesin e proceseve të integrimeve euro-atlantike dhe dëshmon përkushtimin tonë se Kosova është e gatshme të transformohet dhe të prodhojë më tepër siguri dhe të jetë garantues i sigurisë së vet, dhe bazuar në hapat e mëtutjeshëm të jemi një faktor relevant i sigurisë rajonale por edhe globale”.

Paralajmërimi i këtij vendimi qe bërë më 17 shkurt gjatë kremtimeve me rastin e përvjetorit të gjashtë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës me ç’rast u tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mandat tjetër në përvjetorin e radhës së pavarësisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Vitin e kaluar NATO-ja që mbikëqyrë ngritjen e Forcës së Sigurisë tha se ajo ka arritur kapacitetet operacionale ndërsa misioni i saj mbetet i njëjtë: ndërmarrja e operacioneve të mbrojtjes civile dhe mbështetja e autoriteteve civile në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencave të tjera. Rishikimi i mandatit të Forcës së Sigurisë pas 5 vjet funksionimi është i paraparë edhe me planin e zotit Ahtisaari.

Ngritja e kësaj force ishte kundërshtuar nga Beogradi, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, ndërsa shqiptarët e kanë parë si bërthamë të ushtrisë së Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot ndërkaq se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.

Ata këtë e kanë paralajmëruar më herët, por Serbia ka kërkuar garanci nga NATO-ja dhe KFOR-i, që nëse ndonjëherë formohet kjo ushtri, ajo nuk guxon të jetë në veriun e Kosovës pa lejen e KFOR-it”, tha kryeministri i Serbisë.

NATO-ja që ka në terren mbi 5 mijë trupa, nuk ka komentuar ende vendimet e qeverisë së Kosovës.

Ngritja e Forcave të Armatosura të Kosovës nënkupton miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Veprimet e tilla kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare, të cilat kanë kërkuar hapjen e kushtetutës për të siguruar një përfaqësim të gjerë në institucionet qendrore të Kosovës.

Ngritja e kësaj force do të bëhet në disa periudha dhe e para që do të vazhdojë deri në vitin 2016 kur duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese e ligjore, hartimi i doktrinave ushtarake, riorganizimi i forcës së sigurisë në pajtim me ndryshimet, fillimi i aftësimit në bazë të doracakëve të doktrinave ushtarake etj. Ndërsa periudha e dytë deri në vitin 2019 do të përfshijë ngritjen e komandës e kontrollit dhe pajisjen me armatime, ndërsa pas atij viti pritet të fillojë periudha e fundit e përmbylljes së ngritjes së Forcave të Armatosura të Kosovës, e cila do të ketë një buxhet vjetor prej 65 milion eurosh.
XS
SM
MD
LG