Lidhje

Kosovë, sulmohet me vezë zv. ministri Selimi


Një grup veprimtarësh të lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar sot me vezë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme Petrit Selimi.

Në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje thuhet se “asnjëri nga zyrtarët e kësaj qeverie nuk do të mund të vazhdojë punën normalisht, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi”.

Në komunikatë po ashtu thuhet se “ky veprim ka edhe një kualifikim”, ndërsa nënvizohet se “Petrit Selimi njihet për miqësinë e tij me ministrin e punëve të jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, personin që Kosovën e quajti ISIS”,thuhet në komunikatën e lëvizjes Vetëvendosje.

Vet zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi në një reagim nëpërmjet rrjetit social Twiter, I ka cilësuar si fashistë pjesëtarët e lëvizjes Vetëvendosje.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe qeveria e Kosovës e cila nëpërmjet një komunikate thotë se "aktet e dhunshme të kryera sot, në vazhdën e sjelljeve të dhunshme të kohëve të fundit të kryera nga kjo lëvizje e të mbështetura nga partitë tjera opozitare, janë të drejtuara kundër institucioneve legjitime dhe vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës".

Qeveria thotë se “ky sulm, është kryer pikërisht në kohën kur zoti Selimi dhe të gjithë bartësit e tjerë të institucioneve të Kosovës po angazhohen fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe në proceset e integruese evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave dhe nënshkrimi i MSA-së, dëshmon papërgjegjshmërinë si dhe përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar suksesin e Republikës së Kosovës, në këto procese vitale për të ardhmen e vendit", thuhet në reagimin e qeverisë.

Zoti Selimi është zyrtari i dytë që sulmohet me vezë, pas kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ndaj të cilët në dy raste është hedhur vezë nga lëvizja Vetëvendosje për shkak të siç thonë marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe atë me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG