Lidhje

Kosovë: Lista serbe, kthim pa kushte të reja


Përfaqësuesit e Listës serbe, presin që javën e ardhshme të takohen me udhëheqësit e Kosovës për të diskutuar kthimin në institucione, të cilat i kanë braktisur tash e dy muaj

Përfaqësuesit e Listës serbe, subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës, presin që javën e ardhshme të takohen me udhëheqësit e Kosovës për të diskutuar për kthimin e tyre në institucione, të cilat i kanë braktisur tash e dy muaj me radhë.

Më tre shkurt, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shkarkoi nga detyra ministrin për kthim dhe komunitete, Aleksandër Jablanoviç, i cili nxiti reagime duke i quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Vendimi pasoi protestat që shpërthyen në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e 27 janarit në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Duke mos u pajtuar me këtë vendim lista serbe braktisi qeverinë dhe parlamentin, ndërsa akuzoi partitë shqiptarë se nuk po përmbushin marrëveshjen për koalicionin qeveritar në të cilën ishin përfshirë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjet e privatizimit, të pronës së kishës ortodokse etj.

Shefi i Grupit parlamentar të Listës serbe, Sasha Milosavleviç, tha se deputetët e kësaj liste të vetmin kusht e kanë zbatimin e marrëveshjes së koalicionit.

Atë çast që shohim se po respektohet marrëveshja e koalicionit, do të kthehemi në institucione. Kjo pritet të ndodhë në ditët në vazhdim dhe është kushti i vetëm”, tha ai.

Ai tha se pret që deputetët serbë të takohen në javën që po vjen me autoritetet në Prishtinë dhe nëse shohin vullnet të mirë dhe dorën e zgjatur, do të kthehen në institucione dhe të vazhdojnë të punojnë.

Lista serbe e cila ka nëntë nga dhjetë deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës, u themelua nga Beogradi për të marrë pjesë ne zgjedhjet lokale në vitin 2013 dhe më pastaj edhe në ato parlamentare të vitit të kaluar, pjesëmarrje që u bë e mundur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministri Mustafa tha gjatë kësaj jave se pret kthimin e deputetëve të Listës serbe në institucione meqë nuk sheh asnjë arsye për vazhdimin e bojkotit. Mungesa e deputetëve serbë ndërkaq mund të bllokojë miratimin e vendimeve që kërkojnë dy të tretat e gjithë deputetëve të parlamenti, por edhe dy të tretat e deputetëve nga radhët e pakicave kombëtare.

XS
SM
MD
LG