Lidhje

Beogradi refuzon marrëveshjen - Ashton kërkon përpjekje të reja


Qeveria e Serbisë tha se marrëveshjet e ofruara në bisedimet me Kosovën janë të papranueshme – Catherine Ashton shpreh keqardhje dhe kërkon përpjekje të reja

Qeveria e Serbisë, edhe zyrtarisht refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme që u mbajt në orët e pasdites qeveria serbe kumtoi se siç thuhet “qeveria e Serbisë nuk mund t’i pranoj parimet e propozuara, të cilat në mënyrë gojore i janë paraqitur ekipit negociator të Beogradit, sepse nuk garantojnë siguri të plotë, mbijetesën dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të serbëve në Kosovë. Një marrëveshje e tillë nuk mund të zbatohet dhe nuk do të sillte një zgjidhje përfundimtare e të qëndrueshme”.

Serbia refuzon nënshkrimin e marrëveshjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

Qveria e Serbisë ka bërë thirrje për vazhdimin urgjent të bisedimeve ndërsa ka autorizuar kryeministrin e saj që të informojë Bashkimin Evropian për qëndrimin e Beogradit.

Qëndrimi i tillë i qeverisë serbe qe paralajmëruar që në orët e paradites nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se marrëveshja që është paraqitur nga Brukseli është e papranueshme.

Javën e kaluar, të dyja palët dështuan të arrijnë një marrëveshje për shkak të dallimeve të thella rreth mënyrës së qeverisjes së veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Prishtina nuk ka pranuar kërkesat e Beogradit që asociacioni i komunave serbe të ketë pushtet ekzekutiv në fushat e policisë, drejtësisë dhe planifikimit hapësinor. Beogradi ka kërkuar edhe zotimin se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të shfaqen në veriun e Kosovës si dhe ngritjen e një Gjykate të Apelit në zonë.

Që nga e marta, autoritetet serbe kanë vazhduar debatet rreth kësaj çështjeje meqë nga bisedimet varet nëse Serbia do të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri serb tha se pret mirëkuptim nga perëndimi për qëndrimet e Serbisë.

Ashton shpreh keqardhjen për qëndrimin e Serbisë

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, shprehu keqardhjen për qëndrimin e Serbisë, duke i bërë thirrje asaj që të bëjë përpjekjet e fundit për të arritur një marrëveshje.

Në një komunikatë për opinion të zonjës Ashton thuhet se pas disa raundeve të bisedimeve, të gjitha elementet për një marrëveshje për veriun e Kosovës, janë në tryezë.

Kjo kërkon një marrëveshje ndërmjet të dyja palëve dhe nuk i takon Bashkimit Evropian ta imponojë atë. Shpreh keqardhjen që qeveria e Serbisë refuzoi propozimet dhe i bëjë thirrje të bëjë përpjekjet e fundit për të gjetur një marrëveshje ne të mirë të qytetarëve të saj”.

Zonja Ashton shpreh siç thuhet, besimin në të ardhmen e ndritur të Serbisë dhe Kosovës, ndërsa shfaq shpresën se të dyja “nuk do të humbin mundësinë që të lënë prapa të kaluarën dhe të ecin përpara drejt së ardhmes. Shpresoj që do të drejtojë debatet në Bashkimin Evropian gjatë ditëve të ardhshme në mbështetje të hapave të vërtetë përpara drejt të ardhmes evropiane të Serbisë dhe të Kosovës”, thuhet në reagimin e zonjës Ashton.

Edhe Prishtina – e zhgënjyer

Qeveria e Kosovës është shprehur “e zhgënjyer me refuzimin që pala serbe i bëri propozimit të dhënë nga baronesha Ashton për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në reagimin e qeverisë së Kosovës thuhet se “propozimet e dhëna nga BE-ja ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon.
Kosova tashmë ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me Pakon Gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisaari. Po ashtu, edhe përgjatë tërë këtij procesi Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, thuhet në reagimin e qeverisë në të cilin shprehet besimi “që dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar në këtë proces”.

Të hënën gjatë ditës. kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se qëndrimi i zyrtarëve serbë, nuk është i papritur.

Me Beogradin, edhe atëherë kur jemi marrë vesh, nuk jemi marrë vesh dhe fatkeqësia është se ne nuk jemi marrë vesh asnjëherë me politikën e Beogradit, as në konferencën e Rambouillet, as pas bisedimeve të Vjenës dhe natyrisht nuk kam pritur se do të dalë diçka më e mirë, e më e mbarë as nga këto bisedime”, tha zoti Krasniqi.

Mesi i këtij muaji është periudhë e raportimit të shefes së politikes së jashtme të Bashkimit Evropian mbi rezultatet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga ai raport do të varet edhe rrugëtimi i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG