Lidhje

Presidentët Jahjaga dhe Nikoliç takohen në Bruksel

  • Besim Abazi

Ashton: Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha në një konferencë për shtyp në Bruksel, pas takimit me Presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç, se ky takim ishte në përgjithësi konstruktiv dhe se gjatë tij kishte patur një pajtim për të vazhduar mbështetjen e bisedimeve që po zhvillojnë dy kryeministrat e vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zonja Jahjaga tha se kjo është dhe rruga e vetme dhe se të dyja palët janë pajtuar që dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve të hapura mes të dyja vendeve që synojnë integrimet në Bashkimin Evropian. Por ajo shprehu keqardhje që, siç tha ajo, Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç edhe më tej ka mbetur në pozicionet e vjetra të partisë radikale, të cilës ai i takonte dikur, duke përsëritur qëndrimin se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se nuk mund të pajtohet me statusin politik të saj.

Këtë qëndrim e shprehu pak më herët dhe vetë Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç para gazetarëve, duke thënë se është i gatshëm të vazhdojë debatet me palën e Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve, por se Serbia nuk mund dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës e cila, tha ai, nuk mund të bëhet realitet.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, u takuan sot në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Takimi pason diskutimet e veçanta që zonja Ashton pati me dy presidentët si dhe një varg takimesh të presidentes Jahjaga me zyrtarë amerikanë, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Ai shënon edhe takimin e nivelit më të lartë ndërmjet dy vendeve që kur Kosova shpalli pavarësinë, pesë vjet më parë. Ai shihet si mbështetje për bisedimet që po zhvillojnë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

Takimi shihet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian si i rëndësishëm për të diskutuar hapat e nevojshëm në kuadër të këtij procesi.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Katherine Ashton tha se takimi i saj i përbashkët me Presidentin e Serbisë, Nikoliç dhe me Presidenten e Kosovës, Jahjaga, u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive.

Në një deklaratë për mediat, ajo tha se u diskutua mbi dialogun e tanishëm që ajo po ndërmjetëson mes Kryeministrit të Serbisë, Daçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Thaçi. Zonja Ashton tha se ky dialog ka sjellë tashmë një numër arritjesh të rëndësishme.

Tani, tha zonja Ashton, po merremi me çështjen e Kosovës veriore dhe javët e ardhshme do të jenë me rëndësi kritike. Ajo tha se dy presidentët e kishin siguruar për mbështetjen dhe angazhimin e tyre ndaj dialogut dhe ndaj axhendave të tyre përkatëse evropiane.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është njohur nga mbi 90 vende të botës, por është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Në Prishtinë partitë politike kanë thënë se nuk ka asgjë të keqe nga takimi, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kundërshton takimin sikundër edhe bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë.

Analistët politikë janë shprehur se takimi është më tepër i karakterit simbolik dhe nuk do të sjellë ndonjë risi në kuadër të bisedimeve që tashmë po zhvillojnë kryeministrat e të dyja vendeve.

Në Beograd përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë, e kanë akuzuar presidentin serb për, "tradhëti të qartë".

Në mars të vitit 2011 të dyja vendet filluan një seri bisedimesh pë zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të përbashkët, ndërsa në tetor të vitit 2012 në bisedime u përfshinë kryeministrat e të dyja vendeve duke ngritur nivelin e tyre.

Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian dhe nëpërmjet bisedimeve, të zgjidhë edhe situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e saj.

Çështja e veriut pritet të mbizotërojë bisedimet ndërmjet kryeministrave, që do të vazhdojnë në pjesën e dytë të këtij muaji.

Vëzhguesit thonë se zgjidhja do të mund jetë diçka ndërmjet ofertës së Prishtinës të bazuar në planin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe kërkesave të Beogradit për autonomi territoriale të komunave veriore të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG