Lidhje

Marrëveshjet Kosovë Serbi


Kryeministri Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë pajtuar të martën në Bruksel lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se kryeministrat u pajtuan “mbi parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të asociacionit të komunave me shumice serbe që hap rrugën për ngritjen e tij”.

Ata u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes për energjinë dhe për telekomin si dhe për urën kryesore në Mitrovicë.

“Përfundimet e sotme paraqesin një arritje të madhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Zgjidhjet si këto që janë arritur sot ofrojnë përfitime konkrete për qytetarët dhe në të njëjtën kohë u mundësojnë të dyja palëve që të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, thuhet në deklaratën e zonjës Mogherini në të cilën shprehet gatishmëria e Bashkimit Evropian për të mbështetur zbatimin e plotë të marrëveshjeve.

Sipas marrëveshjes Kosova do të ketë kodin e saj telefonik 383.

Ende megjithatë nuk janë bërë të ditura hollësitë e marrëveshjeve, ndërsa palët kanë dhënë shpjegime të ndryshme.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i tha televizionit publik të Kosovës se marrëveshjet janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Me këtë kemi arritur shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës. Kjo është një fitore e madhe dhe praktikisht nënkupton njohjen e sovranitetit edhe nga pala tjetër”, tha ai, duke nënvizuar ndërkaq se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kurrfarë përgjegjësish ekzekutive. Ai tha se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.

Ndërsa, kryeministri serb, Aleksandër Vucic, tha se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin dhe do të ketë përgjegjësi të gjera. Ajo do të vendosë për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik. Qartazi thuhet se Serbia ka të drejtë ta financojë pa taksa e tatime”, tha ai.

Themelimi i këtij asociacioni është paraparë me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo ishte edhe pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve rreth funksionimit të tij.

Shqetësimet rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë bërë që opozita në Kosovë të paralajmërojë veprime kundër tij. Madje Lëvizja Vetëvendosje protestoi në fshatin e lindjes së kryeministrit Isa Mustafa ndërsa ka paralajmëruar hapa që ajo i quan radikal kundër asociacionit nëpërmjet të cilit do të bëhej ndarje brendshme e Kosovës.

Takimi i sotëm i paraprinë takimit të Vjenës, që pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin dhe në Vjenë palët presin që të përfitojnë nga ky projekt.

Prishtina dhe Beogradi synojnë që të mos shkojnë duarthatë në atë takim.
Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës, marrëveshjen e stabilizim asocimit, nënshkrimi i së cilës pritet muajt në vazhdim.

Reagime pas marrëveshjeve

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga përshëndet nënshkrimin e marrëveshjeve, si “një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rendit kushtetues dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”.

Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se Presidentja Jahjaga, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe me këtë rast theksoi se “marrëveshjet forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial, dhe aspiratën tonë për ta bërë Kosovën shtet gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me prosperitet. Ato po ashtu ndihmojnë në integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Arritja e pakos së marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t'i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë evropiane”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, përgëzoi Kosovën për marrëveshjet e arritura në Bruksel, Në një postim në rrjetin social twitter, ai tha se “ky është një hap i madh për të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG