Lidhje

Kuçi: Qasja ndaj serbëve në veri nuk ndikohet nga marrëdhëniet me Beogradin


Ky qëndrim pasoi deklaratat e përfaqësuesve të Serbisë pas operacionit të së premtes të forcave të KFOR-it

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha sot se qasja e institucioneve të Prishtinës, ndaj serbëve në veriun e vendit nuk do të ndikohet nga marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky qëndrim pasoi deklaratat e përfaqësuesve të Serbisë të cilët reaguan ndaj operacionit të së premtes të forcave të KFOR-it për largimin e barrikadave në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ministri i Brendshëm i Serbisë Ivica Dacic tha se Serbia do të duhej të përgjigjej me masa të ndërsjella. Ai u ka thënë mjeteve serbe të informimit se çfarë është reciprociteti, le ta marrin parasysh ata që flasin për këtë. Nëse dikush mendon se dikush mund të sulmojë serbët në veriun e Kosovës pa u ndëshkuar, atëherë qeveria e Serbisë nuk ka politikë shtetërore.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Kosova nuk ndjehet e kërcënuar nga qëndrimet e tilla.

“Është e vërtet se Kosova ka qenë e kërcënuar për një shekull prej Serbisë. Ka qenë e vërtet që Kosova është kërcënuar me gjenocid dhe pastrim etnik. Përafërsisht zërat e njëjtë kanë qenë edhe në atë kohë përafërsisht janë edhe sot. Kosova nuk ndihet e kërcënuar për arsye se ka partneritet të fuqishëm me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Përkundrazi në anën tjetër unë jam i bindur se Serbia e ka mentalitetin e atyre viteve kur i ka dal punë edhe NATO-s me ta dhe unë jam i bindur se ata do të jenë të kujdesshëm, përndryshe jo vetëm Kosova por tërë rajoni me një logjik të tillë politike është i kërcënuar nëse nuk ka ndërhyrje dhe mbrojtje ndërkombëtare”, tha ai.

Zoti Kuçi tha se qeveria e Kosovës synon që t’u shtrijë dorën serbëve në veri dhe në funksion të këtij synimi janë edhe planet për ngritjen e zyrës administrative në veri që do të ofronte shërbime për qytetarët serbë. Themelimi i saj është kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në veri dhe Beogradit. Qeveria e Kosovës shprehte e gatshme të bisedojë me serbët në veri por pa e ngatërruar këtë çështje me bisedimet me Beogradin të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Kosova i ka dy qasje në këtë drejtim. Qasjen e parë ka të bëjë me Serbinë që kemi qenë në një dialog teknik dhe ajo do të vazhdoj pasi që të implementohen ato të cilat janë arritur deri më tani. Implementimi garanton cilësi e seriozitet dhe garanton që kemi punuar diçka dhe mund të implementohet tani. E vazhdimi i dialogut pa implementim nuk e ka asnjë kuptim. Në anën tjetër qytetarët tanë serb që jetojnë në pjesën veriore nuk janë dhe nuk do të kenë asnjë pengesë për shkak të reflektimit të raporteve Kosovë - Serbi, ata janë qytetarët tanë, ne ata i mbrojmë, për ata kujdesemi, për ata tentojmë që të jemi atraktiv. Ne jemi të gatshëm që të bisedojmë me ta, por qëllimi kryesor është implementimi i pakos së Ahtisaarit, ligjeve tona dhe mundësisë tonë për një zhvillim më të mirë socio-ekonomik për ata dhe heqjen e zaptimit nga kriminelët që është në atë pjesë”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Hapja e zyrës administrative në veri, vlerësohet si hapi tjetër teknik drejt krijimit të një komune të veçantë në Mitrovicën e Veriut, siç parashihet edhe me panin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Planet për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, janë kundërshtuar nga Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në atë zonë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ngritja e zyrës administrative ndërkaq është mbështetur nga diplomatët perëndimorë të cilët i kanë bërë thirrje Serbisë të ndihmojë në shtendosjen e situatës dhe të mënjanojë strukturat paralele të sigurisë, ndërsa Prishtinës i kanë kërkuar një plan gjithëpërfshirës për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës.
XS
SM
MD
LG