Lidhje

Jacobson: Java tjetër mundësi për marrëveshje Kosovë - Serbi


Ambasadorja amerikane, Tracey Jacobson, tha se Kosova dhe Serbia duhet të lëvizin përtej historisë së dhimbshme drejt një ardhmërie të përparuar

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, tha sot se Kosova dhe Serbia duhet të shfrytëzojnë mundësinë për marrëveshje në raundin e ardhshëm të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Gjatë një vizitë ne Universitetin e Prishtinës ajo tha se “është një mundësi për Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin përtej një historie të dhimbshme për një të ardhme të përparuar. Nuk ma merr mendja se një mundësi e tillë do të shfaqet sërish. Prandaj, është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë këtë për të arritur marrëveshje javën e ardhshme”.

Ambasadorja Jacobson tha se Shtetet e Bashkuara i kuptojnë dhe respektojnë “vijat e kuqe” të qeverisë së Kosovës në këto bisedime.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç do të takohen sërish më dy prill për të vazhduar bisedimet, të cilat aktualisht janë përqendruar në mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës.

Beogradi kërkon themelimin e një bashkësie të komunave serbe, që do të kishte kontrollin mbi policinë, drejtësinë dhe planifikimin hapësinor.

Prishtina ndërkaq është shprehur e gatshme për krijimin e një asociacioni të komunave me shumice serbe, por pa pushtet ekzekutiv.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci tha se pret që më 2 prill të ketë një përfundim pozitiv të bisedimeve duke i bërë thirrje Serbisë që të sillet në pajtim me realitetin në terren. Ai tha se raundi i javës së kaluar ishte një mundësi e mirë që të lëvizet drejt një marrëveshjeje që do t’u mundësonte të dyja palëve që të kalojnë nga një periudhë njëshekullore e konfrontimit në një etapë të re të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.

Kryeministri serb Ivica Daçiç, ka deklaruar ndërkaq se mospajtimet rreth veriut të Kosovës kishin vënë në pikëpyetje edhe vazhdimin e bisedimeve.

Zyrtarët evropian thonë se diskutimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, që mund t’u sigurojnë datat e negociatave, Serbisë për anëtarësim, ndërsa Kosovës për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG