Lidhje

Debate mbi rrjedhën e bisedimeve Kosovë - Serbi


Diskutimet në Prishtinë dhe Beograd janë përqendruar rreth planeve për krijimin e një asociacioni të komunave serbe në Kosovë

Në Kosovë po vazhdojnë debatet mbi rrjedhën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raundi i ri i të cilave pritet të mbahet të hënën më 4 mars.


Përfaqësues organizatash joqeveritare, publicistë e analistë thanë sot se Kosova ndodhet në një periudhë shumë të vështirë të diskutimeve për veriun e saj të banuar me shumicë serbe, ndërsa tërhoqën vërejtjen se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të dëmtojë rregullimin kushtetues juridik të Kosovës.

Këto diskutime ishin pjesë e një debati të organizuar nga Forumi 2015 mbi procesin e bisedimeve dhe problemet në veriun e Kosovës.

Publicisti Veton Surroi, tha se procesi i zbatimit te planit të Martti Ahtisaarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, ndodhet në një periudhë të ndejshme. Zoti Surroi i cili ishte pjesë e negociatave për statusin e Kosovës tha se Kosova dhe Serbia nuk e përfunduan konfliktin me planin Ahtisari e as bashkësia ndërkombëtare nuk përfundoi procesin e ndërmjetësimit me këtë plan.

Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt është bërë në rrethana mjaftë të vështira nëpër maje të gjilpërës dhe në atë moment është kuptuar që me kaq nuk ka përfunduar ky muhabet, sepse menjëherë më 18 shkurt, Kosova ka mundur të vërejt se Serbia ka shtrirje të sovraniteti të vet në pjesët të cilat nuk e kontrollon dhe nuk e administrojnë institucionet e Kosovës”, tha zoti Surroi.

Ai tha se Kosova kë bërë gabimin thelbësorë që ka hyrë në bisedime të reja pa e përcaktuar se cili do të jetë fundi i këtij procesi. Ai tha se në bisedimet aktuale, Kosova po i zhvillon pa platformë të qartë, duke vënë theksin tek pajtimi për krijimin e asociacionin e komunave serbe në Kosovë për përgjegjësitë e të cilit do të diskutohet në raundin e radhës së bisedimeve.

Pala kosovare, pala serbe dhe bashkësia ndërkombëtare që qëndron ndërmjet, kanë pranuar parimin se asociacioni i komunave mund të ekzistojë si zgjidhje edhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës. E kjo do të thotë dekompozim të Paketës së Ahtisarit apo, do të thotë dekompozim të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Surroi.

Ndërkaq, lëvizja Vetëvendosje tha sot se asociacioni i komunave është një emër tjetër për autonominë e komunave serbe.

Prishtina zyrtare ka mohuar që kjo formë e organizimit të komunave serbe të ketë ndonjë pushtet ekzekutiv. Ndërkaq, Beogradi zyrtar edhe sot ka përsëritur se do të vazhdojë përpjekjet për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriç, tha se bashkësia ndërkombëtare, duhet të nxisë Prishtinën që të bëjë hapa të nevojshëm për arritjen e marrëveshjeve në bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Ne mendojmë se ky është udhëkryqi i bisedimeve kur është e domosdoshme që përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtarë duhet t’u thonë institucioneve të përkohshme në Prishtinë se duhet të jenë të gatshëm të bëjnë lëshime në funksion të kompromiseve”, tha ai, duke nënvizuar se Serbia ka koncept të qartë në lidhje me formimin e bashkësisë së komunave serbe, e cila do të kishte përgjegjësi në shumë fusha me rëndësi.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, vazhdojnë të hënën në Bruksel dhe situata në veriun e Kosovës do të jetë tema kryesore e diskutimeve. Serbia është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë, meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe të zgjidhe situatën në veriun e Kosovës.
XS
SM
MD
LG