Lidhje

Përfundoi takimi i radhës Thaçi – Daçiç


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, diskutuan sot rrugët e administrimit të veriut të Kosovës, takimi i radhës më 20 mars.

Në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje raundi i gjashtë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, nuk kanë arritur ndonjë pajtim lidhur për mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Të dyja palët pritet të takohen sërish më 20 mars, për të vazhduar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton nëpërmjet një komunikate tha se është shënuar “përparim i mire”, por pa dhënë më shumë hollësi rreth bisedimeve të sotme.



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi takimin e sotëm si konstruktiv dhe në frymën e mundësive për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj.

Ai tha se është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, “gjithmonë sipas ligjeve të Kosovës, por në asnjë rrethanë me ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv”, përkundrazi, tha ai, “gjithmonë gjithçka do të mbetet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane”.

Kryeministri Thaçi tha se ka pasur një pajtim gojor për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë si dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri.

Ai tha se nga sot është më optimist për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar agjendën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Takimi i gjashtë Thaçi - Daçiç

Takimi i gjashtë Thaçi - Daçiç


Raundi i sotëm vlerësohej si më i vështiri për shkak të dallimeve të thella që kanë të dyja palët lidhur me krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Beogradi ngulë këmbë për krijimin e bashkësisë autonome të komunave serbe që do të kishte përgjegjësi në fushën e policisë, drejtësisë, arsimit etj, me çka do të krijohej mundësia e vetëqeverisjes së serbëve në zonë.

Beogradi pohon se një njëfarë mënyre ka hequr dorë nga strukturat aktuale të mbështetura prej tij në veri, por kërkon nga Prishtina kompromis për krijimin e strukturave që do të ishin të pranueshme për të dyja palët.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç, tha se bashkësia e komunave serbe duhet të ketë më shumë përgjegjësi sesa që Prishtina është e gatshme të pranojë.

Ai tha se mënyra më e mirë për tejkalimin e paralelizmave në veri, është nëpërmjet themelimit të bashkësisë së komunave serbe. Ka mundësi për marrëveshje nëse pala tjetër ka gatishmëri politike për kompromis, tha kryeministri serb.

Prishtina zyrtare ngulë këmbë që strukturat e reja të dalin nga zgjedhjet që do të mbaheshin në shtator të këtij viti në veri, me organizimin dhe mbikëqyrjen e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, por me ligjet e Kosovës.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar të angazhohen në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, meqë kjo është kusht për rrugëtimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG