Lidhje

Ku ndodhet procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi


Mospajtimet janë më të thella rreth administrimit të veriut të Kosovës. Edhe Prishtina edhe Beogradi mohojnë të jetë kërkuar një “Republikë serbe”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se është shumë afër marrëveshja për shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në veriun e Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë mbledhjes së qeverisë së tij, të cilën e njoftoi me rrjedhën e raundit të gjashtë të bisedimeve me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç.
Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës

Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës


Kryeministri Thaçi e vlerësoi me rëndësi faktin që, siç tha, “definitivisht, jemi duke shkuar drejt arritjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian, që Serbia gjithashtu do të detyrohet të pranojë, për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë edhe në veri të Kosovës. Ndalimin e plotë të financimit të këtyre strukturave nga Serbia, largimin e çdo elementi të shtetit të Serbisë të pranishëm aty”.

Ai tha se me Beogradin po diskutohet edhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë, përshtatjen e strukturave të arsimit, shëndetësisë, dhe të shërbyesve civil, ndërsa sërish hodhi poshtë çdo mundësi që asociacioni i komunave serbe të ketë çfarëdo pushteti ekzekutiv.

Prandaj zërat skeptikë, për Republikë Serbe, modelin e Republikës Serbe, autonomi për Serbët, status special, ndarje të Kosovës, Ahtisaari Plus, thjesht janë opinione të prezantuara në shtypin e verdhë të Beogradit, që prezantohen aty-këtu si zëra të dështuar. Gjëra të tilla, as që dikush ka ngritur në takim, as që do të tolerojmë që t’i ngritë dikush, e lërë më që të përfshihen në marrëveshje, apo do të mund të implementohen në territorin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaci.

Të hënën, të dy kryeministrat dështuan të arrijnë ndonjë marrëveshje pikërisht për shkak të qëndrimeve të ndara rreth asociacionit të komunave serbe. Beogradi kërkon që të krijohet bashkësia e komunave serbe me pushtet ekzekutiv si mundësi për zëvendësimin e “paralelizmit institucional”.

Debatet për këtë çështje kanë nxitur shqetësime në Kosovë për mundësinë e krijimit të një entiteti të veçantë në veri.
Michael Kirby, ambasadori amerikan në Serbi

Michael Kirby, ambasadori amerikan në Serbi


Të martën, ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby tha se “Shtetet e Bashkuara nuk e dëshirojnë një “Republika Sërpska” në Kosovë, pasi që kjo nuk ka treguar sukses as në Bosnjë”.

Ai u tha gazetarëve gjatë një vizite në Novi Pazar në jug të Serbisë, se “Shtetet e Bashkuara, më me interes e shohin propozimin e Beogradit për një lidhje të komunave serbe në Kosovë”, për të cilin tha ai, ende nuk ka se çfarë saktësisht përmban.

Ndërkaq, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleaksandër Vulin tha sot se “Serbia nuk kërkon një Republikë Serbe në Kosovë, por formimin e bashkësisë së komunave që do të kishin kontroll mbi gjykatat, policinë dhe arsimin”.

Aleksander Vulin, shef i zyrës serbe për Kosovën

Aleksander Vulin, shef i zyrës serbe për Kosovën

Kjo nuk është Republikë Serbe, ne nuk po kërkojmë punët e jashtme, ushtrinë dhe të gjitha ato që i ka Republika Serbe sipas Marrëveshjes së Daytonit. Ne kërkojmë që serbët në Kosovë të jetojnë ashtu si dëshirojnë ata”, u ka thënë ai medieve serbe.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, pritet të takohen sërish më 20 mars për të vazhduar diskutimet rreth mënyrës së administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar të angazhohen në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, meqë kjo është kusht për rrugëtimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG