Lidhje

Përfundojnë pa marrëveshje bisedimet Kosovë-Serbi


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, thanë se kanë afruar qëndrimet por nuk ka marrëveshje – takimi i radhës më 2 prill

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, përfunduan raundin e shtatë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është kusht për integrimet e evropiane.

Të dy kryeministrat thanë në një konferencë të përbashkët me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, e para që nga fillimi i bisedimeve, se kanë shënuar përparim, por nuk mund të thonë as që janë afër e as larg marrëveshjes.

Takimi i radhës është caktuar për datën 2 prill dhe zyrtarët evropian shpresojnë që ajo datë të çojë në marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.

Zonja Ashton tha se është diskutuar që nga ora 10 e 30 e së mërkurës me qëllim që të shënohet përparim, gjë që edhe ka ndodhur.

Është mendimi im personal se jemi shumë afër zgjidhjes për disa çështje shumë të rëndësishme, në lidhje me veriun e Kosovës”, tha zonja Ashton, sipas së cilës tash është koha e këshillimeve për atë është diskutuar dhe do të zbatohet në terren.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ishte një ditë e gjatë diskutimesh, për çështje të ndjeshme dhe të vështira, por takimi ishte konstruktiv.

Mund të konfirmojmë se është arritur një progres në disa çështje që janë adresuar. Nuk mund të them se jemi shumë afër ose larg, por jemi në rrugë të drejtë”, tha kryeministri Thaçi, duke shfaqur shpresën se në ditët e ardhshme do të ndodhë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për normalizimin e gjendjes në veri.

Ai tha se të dyja vendet kanë kaluar një shekull të armiqësisë dhe konfrontimit, ndërsa tani është koha për kapitullin e ri të bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe ardhmërisë euroatlantike për gjithë rajonin.

Kryeministri serb, Ivica Dacic tha se Serbia është e përkushtuar për bisedimet jo vetëm për shkak të datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që respektojnë interesat e të dyja palëve.

Raundi i shtatë i bisedimeve ishte përqendruar tek mënyra e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Beogradi thotë se është pajtuar të heq dorë nga strukturat e mbështetura prej tij në zonë, por kërkon që atje të krijohet një bashkësi komunash me shumicë serbe, që do të kishte fuqi ekzekutive.

Prishtina ndërkaq, është pajtuar për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por pa pushtet ekzekutiv.

Nuk mund të themi se jemi as afër as larg marrëveshjes, se situata ndryshon në çdo moment. Ka ende dallime sa u takon përgjegjësive të bashkësisë së komunave”, tha kryeministri serb, sipas të cilit, të dyja palët duhet të gatshme për kompromis nëse duan zgjidhje.

Të dy kryeministrat do të udhëtojnë për në New York, ku të premten do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Përgjatë kësaj mbledhjeje, ata pritet të takohen edhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.

Zonja Ashton tha se të dy do të udhëtojnë me avionin e njëjtë dhe mbase kjo mund të jetë një mundësi e vazhdimit të debateve ndërmjet tyre.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, që mund t’u sigurojnë të dyja vendeve datat e negociatave, Serbisë për anëtarësim, ndërsa Kosovës për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Ditët e fundit janë shtuar përpjekjet ndërkombëtare për të nxitur arritjen e një marrëveshjeje për veriun, para mesit të muajit prill, kur zonja Ashton duhet t’u raportojë ministrave të Bashkimit Evropian për rezultatet e bisedimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG