Lidhje

Nesër në Bruksel takimi i ri Kosovë-Serbi


Takimi mund të sjellë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy palëve, që është kusht për integrimet evropiane

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, takohen të mërkurën në Bruksel në raundin e nëntë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zonja Ashton për bisedimet Kosovë - Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00


Takimi mbahet me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton. Në një njoftim për opinion ajo thotë se u ka kërkuar kryeministrave që të shkojnë në takim me “frymë konstruktive dhe me gatishmëri që të shqyrtojnë opinionet e ndryshme dhe të merren vesh për një kompromis”.

Takimi shihet si mundësia e fundit që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje para se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton t’u raportojë ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian më 22 prill, në Luksemburg, për rezultatet e bisedimeve.

Nga këto rezultate varet përparimi më i shpejtë i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.

Kjo mundësi u vu në pikëpyetje pasi që Serbia në fillim të muajit prill, refuzoi një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, meqë nuk arriti të sigurojë me shumë autonomi për komunat veriore, përkatësisht fuqi ekzekutive në fushat e policisë drejtësisë dhe planifikimit hapësinor.

Prishtina nuk pajtohet me kërkesa të tilla që ajo mendon se mund të çojnë një ndarjen e brendshme të vendit. Ky qëndrim u ritheksua edhe sot në prag të takimit dhe delegacioni i Kosovës shkon në Bruksel me gatishmërinë për themelimin e një asociacioni të komunave me shumice serbe, por nuk do të pranojë kërkesat e Serbisë që ai të ketë pushtet ekzekutiv.

Nëse palët pajtohen, atëherë Serbia mund të sigurojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të marrëveshjes së stabilizim asocimit.

KE shtyn raportin për Kosovën dhe Serbinë

Në pritje të rezultateve të bisedimeve edhe Komisioni Evropian ka vendosur të shtyjë raportin mbi përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane, raport që ishte planifikuar të miratohej sot.
Stefan Fule
Stefan Fule

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule shprehu besimin se bisedimet do të çojnë në një marrëveshje dhe tash është koha që Serbia dhe Kosova të lënë prapa të kaluarën. Ai tha në Strasburg se çdo lëvizje pozitive në bisedime do të pasqyrohet në raportin e Komisionit Evropian i cili ndihmon vendet anëtare të Bashkimit Evropian që të vendosin nëse Kosova dhe Serbia do të lejohen të hedhin hapat tjerë drejt integrimeve.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që dita e nesërme mund të sigurojë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që ishte është synimi kryesor i bisedimeve të filluara vitin e kaluar ndërmjet të dy kryeministrave.

Thaçi: Shpresojmë për marrëveshje

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shfaqi shpresën se takimi i nesërm në Bruksel do të jetë takim i marrëveshjes. Në një konferencë me gazetarë në aeroportin e Prishtinës, para se të nisej për në Bruksel, ai tha se në takimin e fundit palët ishin afër marrëveshjes, ndërsa shfaqi shpresën se raundi i nesërm të jetë përfundimtar dhe të mundësojë fillimin e një epoke të re të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Kemi qenë afër marrëveshjes, dhe dua të besoj se gjatë këtyre ditëve, Beogradi ka reflektuar për të marrë një përgjegjësi për të qenë më fleksibil dhe të largohet nga ngurtësia që ka pasur në takimet e fundit. Pozicioni i Kosovës është i qartë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, me standardet evropiane”, tha kryeministri Thaci.

Ai tha se delegacioni i Kosovës, udhëton me qëllimin më të mirë “që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe fillimin e ndërtimit të një kapitulli të ri ndërmjet dy vendeve, kapitull ky që ka munguar për një shekull deri sot. Me arritjen e marrëveshjes nuk do të fitojë vetëm Kosova, por do të jetë mirë edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin, do të jetë një lajm i mirë edhe për Bashkimin Evropian dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kryeministri Thaçi tha që nëse arrihet marrëveshja do të punohet për krijimin e shpejtë të kushteve për organizimin zgjedhjeve edhe në katër komunat në veri, që do të organizohen dhe menaxhohen nga OSBE-ja dhe do të krijohen kushte socio-ekonomike për gjithë qytetarët. Ai tha se do të krijohet edhe asociacioni i komunave, por pa mandat legjislativ apo ekzekutiv.
XS
SM
MD
LG