Lidhje

Arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi


Marrëveshja është mbështetur gjerësisht nga diplomacia ndërkombëtare, ndërsa ka nxitur reagime të përziera në Kosovë dhe Serbi

Në Bruksel, arrihet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha se bisedimet përfunduan dhe të dy kryeministrat, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç i kanë vënë inicialet në tekstin e saj. Ajo i përgëzoi të dy kryeministrat për “vendosmërinë dhe guximin që kanë shfaqur gjatë këtyre muajve. Është e rëndësishme që ajo që po shohim tani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës", tha ajo.

Marrëveshja që në thelb ka mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, do t’i mundësojë Beogradit të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kosova pret ndërkaq të marrë datën e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e cilësoi marrëveshjen historike.

Kjo është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtarë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe popujve tanë. Prandaj jam i kënaqur që ndodhem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton me kryeministrin Daçic, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e dy vendeve tona, për të ardhmen evropiane. Nuk ka asnjë iluzion se kjo marrëveshje nuk ka qenë e lehtë. Ne si dy shtete dhe popuj kemi kaluar një të kaluar jo të lehtë, të vështirë mes veti. Mirëpo kemi arritur t’i ngushtojmë dallimet dhe të shkojmë drejt një pajtimi, mirëkuptimi dhe të arrijmë marrëveshje”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se është i vetëdijshëm se “do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që
nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje, por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin edhe për BE-në
”.

Ai tha se deri më 26 prill do të hartohet edhe plani për zbatimin marrëveshjes, që sipas tij “paraqet fillimin e një epoke të re, atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të ndihmojë shërimin e lagave të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”.

Kryeministri serb Ivica Daçiç tha se teksti i marrëveshjes është shumë më i favorshëm për palën serbe sesa që ishin propozimet e mëparshme.

Bashkësia e komunave do të ketë përgjegjësi më të mëdha sa i përket zgjedhjes së komandantit të policisë, përkatësisht do të propozojë komandantin rajonal të policisë, do të ketë përbërjen serbe të policisë, përbërjen serbe të gjyqësorit, do të ketë degën e gjykatës së qarkut në Mitrovicën veriore. Bashkësia do të ketë selinë ne Mitrovicën veriore, do të ketë kuvendin, kryetarin e nënkryetarin dhe këshillin si një formë e qeverisë. Bashkësia do të ketë mbikëqyrjen dhe pushtetin ekzekutiv kur behet fjalë për arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe planifikimin hapësinor. Serbia sot nuk e ka pranuar këtë marrëveshje. Unë i kam vënë inicialet në dokumentin ku thuhet se ky është teksti i saktë dhe propozimi përfundimtar i Bashkimit Evropian. Organet tona shtetërore duhet të vendosin ditët e ardhshme nëse do të pranojnë apo refuzojnë këtë propozim”.

Mbështetje ndërkombëtare për marrëveshjen

Marrëveshja është mbështetur gjerësisht nga përfaqësues ndërkombëtarë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, nëpërmjet një komunikate ka përgëzuar të dyja palët për vendosmërinë e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm trimëron fuqishëm palët që ta përfundojnë këtë proces historik dhe të ndërmarrin hapa konkret për një zbatim besnik të marrëveshjes. Kombet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme të ndihmojnë palët në këtë përpjekje”, thuhet në komunikatë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Anders Fogh Rasmussen duke mbështetur
marrëveshjen, ka shprehur bindjen se “popujt e rajonit, dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare do ta njeh atë që është arritur këtu në Bruksel. Besoj se kjo marrëveshje është një hap i madh përpara për paqen dhe sigurinë rajonale”.

Komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule, tha se marrëveshja paraqet “një ditë historike në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dhe për gjithë rajonin”.
Tani është me rëndësi që liderët politik dhe në përgjithësi opinioni publik, si në Serbi dhe Kosovë, të mbështesë marrëveshjen dhe ndihmojë në zbatimin e saj. Kjo është një mundësi e cila nuk guxon të humbet. Është në interes të të gjitha palëve të përfshira, të popullit që jeton në Kosovë dhe atij në Serbi, por edhe rajonit në tërësi. Ata mund të llogarisin në mbështetjen tonë të vazhdueshme, solidaritetin, dhe të kenë besim në të ardhmen e tyre evropiane”, thuhet në reagimin e zotit Fule.

Ambasada amerikane në Prishtinë përgëzoi Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjen e arritur. Në një komunikatë për opinion të kësaj ambasade thuhet se “ne mirëpresim këtë zhvillim pozitiv si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve. Ne vlerësojmë përkushtimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton dhe ekipit të saj, dhe lidershipin e treguar nga kryeministrat dhe ekipet e tyre. Ne do të vazhdojmë të përkrahim zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimin e mëtutjeshëm i cili është vendimtar për të ardhmen evropiane të të dyja shteteve”.

Reagime të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mirëpret marrëveshjen duke theksuar se ajo “ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm si dhe relakson raportet ndërmjet dy vendeve tona, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Dialogu nuk ka alternativë dhe është mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjeve që ndihmojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit”, thuhet në një komunikatë për opinion të presidentes Jahjaga.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thekson ndërkaq se kjo marrëveshje fillimisht krijon mundësi për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri të Kosovës dhe shtrirje të plotë të kushtetutshmërisë dhe juridiksionit të Kosovës në atë pjesë të vendit.
“Gjithashtu besojmë se marrëveshja krijon mundësi për paqe afatgjate në rajon, për fillim të ndërtimit të marrëdhënieve korrekte në mes të gjitha vendeve të rajonit dhe të gjitha këto në të njejtën kohë krijojnë mundësi për zhvillim ekonomik dhe integrim të vendit tonë por edhe të rajonit në Bashkimin Europian dhe në NATO.Aleanca beson se forcat politike në Kosovë duhet ta ruajnë fuqishëm unitetin dhe fokusin për implementimin e saktë të marrëveshjes dhe ta përcjellin me kujdes implementimin e saj edhe nga pala tjetër”, thuhet një komunikatë të kësaj partie.

Marrëveshja është kundërshtuar ndërkaq nga lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i saj Shpend Ahmeti tha me këtë marrëveshje “po betonohet një ndarje etnike e Kosovës”.
Kjo lëvizje ka paralajmëruar edhe veprime kundër marrëveshjes që sipas saj është shumë brengosëse për të ardhmen e Kosovës.

Edhe në Serbi, reagimet ishin të ndara. Partitë politike të pushtet e vlerësuan marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për përparimin drejt integrimeve evropiane si dhe siç thuhet, mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Opozita serbe ndërkaq akuzoi qeverinë se siç thuhet “ka tradhtuar shtetin dhe interesat kombëtare që kanë serbët në Kosovë”.

Përmbajtja e tekstit të marrëveshjes Kosovë - Serbi


1. Do të ketë një Asociacion / Bashkësi të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët të pajtohen.

2. Bashkësia / Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

3. Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

4. Në pajtim me përgjegjësitë e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

5. Asociacion / Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

6. Bashkësia / Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kuadrit të Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

8. Pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat përkatëse të Kosovës.

9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kuadrin kohor, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent.

13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.

15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit
XS
SM
MD
LG