Lidhje

Kosova dhe Serbia diskutojnë zbatimin e marrëveshjes


Deri të premten duhet të jetë gati plani për zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen të enjten në Bruksel për hartimin e planit mbi zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja palët do të paraqesin planet e tyre në zyrën e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton.

Nesër takimi Kosovë- Serbi në Bruksel
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00


Plani për zbatimin e marrëveshjes duhet të jetë i gatshëm deri të premten më 26 prill. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se zbatimi do të jetë një sfidë e madhe.

Fati i marrëveshjes do të varet nga implementimi. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të gjitha institucionet në Kosovë e mbështesin këtë proces. Mund të them gjithë spektri politik kosovarë, me ndonjë parti të veçuar, Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Qeveria, autoritetet lokale, qytetarët e vendit. Gjithashtu, janë inkurajuese deklaratat për thirrje për implementim në veri edhe nga Qeveria e Serbisë për qytetarët në veri”, tha kryeministri Thaçi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serb në veriun e Kosovës që të mos kenë drojë nga zbatimi i marrëveshjes që është në shërbim dhe në interesin e të gjithëve.

Planit implementues nuk duhet t’i frikësohet askush, as qytetarët në veri, pavarësisht nga tonet dezorientuese që mund t’i prezantojnë disa njerëz që kanë mbajtur peng veriun tash e 14 vite. Plani ynë është plan i paqes, është plan mirëkuptues, i tolerancës, një plan i jetës së përbashkët për të ardhmen, një plan zhvillimor, i punësimit, i rritjes së mirëqenies sociale, plan i jetës së re, plan i Kosovës demokratike dhe evropiane, është një plan i përbashkët i Kosovës dhe i gjithë botës demokratike”, tha kryeministri Thaçi.

Marrëveshja është kundërshtuar nga serbët në veriun e Kosovës ndërkohë që në shenjë pakënaqësie shefi i zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin ka dhënë dorëheqje.

Të premten e kaluar Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë. Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Ministri i Punëve të Jashtme Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha sot në Prishtinë se marrëveshja shënon një epokë të re me mundësi për të gjithë rajonin. Zoti Bumci i cili vizitën e parë jashtë vendit në këtë post po e bën në Kosovë, tha se marrëveshja ishte historike.
Aldo Bumçi
Aldo Bumçi

Marrëveshja ka normalizuar jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve kudo që jetojnë. Do t'i intensifikoj marrëdhëniet tona në rajon dhe do të hap një perspektivë të re për njohjet e Kosovës, për integrimin e Kosovës në nismat rajonale, në organizatat ndërkombëtare në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe këto janë të lidhura me perspektivën ekonomike”, tha ministri Bumçi

Ai u shpreh i kënaqur me propozimin e Komisionit Evropian që të hapen negociatat me Kosovën për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, duke u zotuar për mbështetjen e plotë të Kosovës në këtë proces.

Të hënën Komisioni Evropian miratoi edhe propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit te negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, vendimi i Këshillit te Ministrave për këtë çështje do të varet nga zbatimi i marrëveshjes në terren.
XS
SM
MD
LG