Lidhje

Kosova dhe Serbia po diskutojnë zbatimin e marrëveshjes


Delegacionet e të dyja vendeve po kërkojnë rrugë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë po diskutojnë në Bruksel planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Sipas marrëveshjes së arritur më 19 prill, ishte dashur që 26 prilli t’i gjente të dyja palët me planin e gatshëm për zbatim, por Beogradi kishte kërkuar më shumë kohë, ndërsa Prishtina tha se e kishte pranuar planin e paraqitur nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton. Diskutimet vazhdojnë edhe të mërkurën, meqë e marta nuk solli ndonjë pajtim.

Marrëveshja 15 pikëshe u siguron serbëve në veriun e Kosovës përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

Por, përfaqësuesit e serbëve në atë zonë kundërshtojnë marrëveshjen. Një delegacion i serbëve të Kosovës është takuar sot në Beograd me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, dhe zëvendëskryeministrin, Aleksandër Vuçiç.

Pas mese dy orë diskutimesh nga përfaqësuesit e serbëve lokal tha se ka pasur përparim në afrimin e qëndrimeve, por nuk mund të thotë se është pranuar zbatimi i marrëveshjes në terren.

Ai u tha medieve serbe se zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Dacic është zotuar se do të bëjë gjithë çfarë është e mundur që serbët e Kosovës, të fitojnë status sa më të mirë para zgjedhjeve në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, në pjesën veriore të Kosovës do të duhej që brenda këtij viti të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal që do të organizoheshin e mbikëqyreshin nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Zëvendëskryeministri serb pritet që këtë fundjavë të qëndrojë në veri të Kosovës në përpjekje për të bindur serbët në zonë që të pranojnë dhe zbatojnë marrëveshjen, meqë këta të fundit e shohin atë si të dëmshme për Serbinë.

Autoritetet në Beograd thanë se duan të sigurojnë pajtimin e tyre për zbatimin e marrëveshjes e cila duhet dhe do të zbatohet.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
XS
SM
MD
LG