Lidhje

Vuçiç: Marrëveshja me Kosovën nuk është e përsosur


Zv/kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha sot se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është ideale, por zgjidhja më e mirë e mundshme.

Zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha sot se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është e përsosur, por është zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë kohë.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës që po zhvillon në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në përpjekje për të bindur përfaqësuesit e atjeshëm për zbatimin e marrëveshjes e cila u siguron komunave veriore më shumë përgjegjësi në fushën e policisë dhe drejtësisë.


Zëvendëskryeministri serb tha se me këtë marrëveshje për herë të parë bota do të njohë bashkësinë e komunave serbe dhe është një dëshmi që çizmet shqiptare nuk do të shkelin në veriun e Kosovës.

Por, a ka anë të këqija? Sigurisht që ka dhe nuk do ta fshehë siç nuk e kam bërë edhe në ditët e kaluara, e kjo është zbatimi i ligjeve të Kosovës si në kohën e Titos. Për ne, kjo është më e vështira, nuk ka asnjë dyshim, por mos e hiqni nga mendja se Serbia do të financojë edhe më tej shëndetësinë, arsimin, atë që është më e rëndësishmja, ndërsa përgjegjësitë tjera do t’i ketë bashkësia e komunave serbe”, tha zëvendëskryeministri serb.

Pra, kjo marrëveshje nuk është ideale, por nuk është as marrëveshje katastrofale dhe nuk duhet të shfrytëzohet për të frikësuar popullin. Por, kjo është më e shumta që ishte e mundur në këtë kohë”, tha ai duke nënvizuar se Serbia do të jetë me popullin e saj dhe nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Më 19 prill, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë dhe një shkallë të lartë autonomie në shumë fusha.

Por përfaqësuesit e serbëve në atë zonë kundërshtojnë marrëveshjen që sipas tyre, i detyron ata të veprojnë në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës, që ata nuk e njohin.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.

Ndonëse deri më 26 prill është dashur të ishte i gatshëm plani për zbatimin e marrëveshjes, palët deri tash dështuan në hartimin e tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG