Lidhje

Thaçi e Daçiç pajtohen “në parim”


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, janë pajtuar rreth një teksti të planit për zbatimin e marrëveshjes dhe deri në fund të javës duhet të miratohet nga qeveritë e të dyja vendeve.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, përfunduan me një “pajtim në parim” bisedimet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton theksoi nëpërmjet një deklarate se kryeministrat “janë pajtuar për një tekst, mbi të cilin do të vazhdojnë këshillimet. Ata do të jenë në kontakt me mua deri në fund të javës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se është arritur nje pajtim i cili duhet të verifikohet nga qeveritë e të dyja vendeve. Ai tha se janë përcaktuar afatet kohore dhe zbatuesit e marrëveshjes për gjashtë muajt e ardhshëm. Ai tha se pajtimi paraqet një angazhim krijues të të dyja palëve.

Një muaj më parë, të dy kryeministrat u akorduan rreth marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve, por ndonëse ishte planifikuar që deri më 26 prill të ketë një plan për zbatimin e saj, grupet punuese të të dyja palëve dështuan të arrijnë një pajtim. Prandaj, zonja Ashton, që është edhe ndërmjetësuese e bisedimeve, vendosi të ftojë sërish kryeministrat në një takim të ri.

Marrëveshja e arritur me 19 prill u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë dhe një shkallë të lartë autonomie në shumë fusha tjera.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes në terren.
XS
SM
MD
LG