Lidhje

Thaçi e Daçiç diskutojnë zbatimin e marrëveshjes


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, shqyrtojnë zbatimin e marrëveshjes në prag të vlerësimit për pëparimin e tyre drejt BE-së

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, bisedojnë sonte në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes për normalzimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kush për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Të dy kryemnistrat qenë dakorduar më 19 prill për një marrëveshje që siguron më shumë autonomi për serbët në komunat veriore të Kosovës, ndërsa më 22 maj hartuan një plan për zbatimin e saj.

Por, deri tash, grupet punuese të të dyja palëve dështuan të merren vesh për hollësitë e zbatimit të marrëveshjes dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që është ndërmjetësuese e bisedimeve, ftoi kryeministrat për një takim të ri.

Të premten zonja Ashton dhe komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule pritet të njoftojnë me një letër vendet anëtare të BE-së për masat e ndërmarra në funksion të zbatimit të marrëveshjes.

Më 27 dhe 28 qershor, udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian do të mund të vendosin nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Zbatimi i marrëveshjes përfshinë disa elemente themelore siç janë, rregullimi i kuadrit ligjor të të dyja palëve, rrugët e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, çështjet e policisë e gjyqësisë dhe zgjedhjet për pushtetin lokal. Sipas planit tërë marrëveshja duhet të zbatohet brenda gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa një pjesë e veprimeve fillestare është dashur të përfundojnë gati tri javë më parë.
XS
SM
MD
LG