Lidhje

Thaçi e Daçiç me përparim të pjesshëm

  • Leonat Shehu

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, kanë arritur përparim të pjesshëm për zbatimin e marrëveshjes

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, kanë arritur pajtim të pjesshëm për zbatimin e marrëveshjes së arritur dy muaj më parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në takimin që përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, ata janë pajtuar për disa çështje të hapura në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve për pushtetin lokal që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti në Kosovë.



Shefja e politikës së jashtme të Bashkimitr Evropian, Catherine Ashton, tha se në takim është analizuar progresi i deritashëm dhe se është shënuar përparim.

Është bërë punë e mirë dhe është arritur përparim konkret. Kryeministrat sot shkuan tutje dhe u pajtuan për një varg çëshjesh të hapura, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme komunale”, tha zonja Ashton.

Ajo dhe komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule pritet të njoftojnë me një letër vendet anëtare të BE-së për masat e ndërmarra në funksion të zbatimit të marrëveshjes.

Më 27 dhe 28 qershor, udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian do të mund të vendosin nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Zbatimi i marrëveshjes përfshinë disa elemente themelore siç janë, rregullimi i kuadrit ligjor të të dyja palëve, rrugët e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, çështjet e policisë e gjyqësisë dhe zgjedhjet për pushtetin lokal. Sipas planit, tërë marrëveshja duhet të zbatohet brenda gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa një pjesë e veprimeve fillestare është dashur të përfundojnë gati tri javë më parë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit se ka ka një pajtim për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në vjeshtë për reformën, mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, periudhat kohore dhe për angazhimin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë si lehtësuese dhe organizuese e këtyre zgjedhjeve.

Kemi vazhduar së diskutuari edhe sa i përket policisë, mundësisë së emërimit të shpejtë të komandantit regjional në Mitrovicë, që duhet të punojë sipas ligjit dhe standardeve të Kosovës. Kemi shënuar progres edhe në ligjin për amnisti, megjithëse të dy ministrat e drejtësisë janë duke vazhduar së diskutuari, edhe me ekipet e tyre profesionale që ta përmbyllin sonte përfundimisht. Kështu që lirisht mund të them se ka qenë një takim i vullnetit të mirë, të ecjes përpara, dhe i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, ndërsa jemi dakorduar në të njëjtën kohë që takimi i radhës të mbahet në nivel të kryeministrave më 8 korrik”, tha kryeministri Thaçi.

Nuk ka pasur ndonjë prononcim nga pala serbe e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është pajtuar të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve me të në përpjekje për të siguruar afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG