Lidhje

Përfunduan bisedimet Kosovë – Serbi


Në raundin e sotëm palët kanë afruar qëndrimet rreth telekomunikacionit dhe energjisë. Catherine Ashton pret përfundimin e tyre gjatë vizitës në Beograd dhe Prishtinë

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaci e Ivica Daçiç, përfunduan raundin e trembëdhjetë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ndërmjetësuesja e këtyre bisedimeve, Catherine Ashton, shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, nëpërmjet një komunikate tha se është diskutuar rëndësia thelbësore e “vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në javët dhe muajt që vijnë”, ndërsa u shpreh e kënaqur me përkushtimin e të dy kryeministrave.

Në komunikatë thuhet se “tekstet e marrëveshjes për telekomunikacionin dhe energjinë janë pothuajse të përfunduar. Diskutimet do të vazhdojnë në ditët që vijnë gjatë udhëtimit në Beograd dhe Prishtinë”, thuhet në deklaratën e zonjës Ashton.

Ajo është shprehur e kënaqur që do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, pas, siç thuhet, vendimeve historike të Këshillit Evropian, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Serbinë dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit me Kosovën.

Më 28 qershor, Këshilli Evropian vendosi hapjen e negociatave me Kosovën, ndërsa Serbisë i mundësoi ato për anëtarësim në janar të vitit që po vjen. Por, data e saktë e fillimit të tyre varet nga zbatimi në terren i marrëveshjes me Kosovën.

Në kuadër të veprimeve për zbatimin e marrëveshjes, Parlamenti i Kosovës të enjten pritet të debatojë për të dytën herë me radhë ligjin mbi amnistinë, i cili synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veri.

Javën që lamë pas ai dështoi të miratojë këtë ligj për shkak të reagimeve të shumta, meqë fushë veprimi i tij fillimisht u zgjerua në disa dhjetëra vepra penale edhe jashtë veriut të Kosovës, duke nxitur shqetësimin e një pjesë të forcave politike dhe organizatave joqeveritare. Qeveria vendosi të ndryshojë ligjin që pritet të miratohet të enjten në Parlamentin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe një grup organizatash joqeveritare vazhdojnë të kundërshtojnë ligjin, ndërsa, këto të fundit filluan edhe nënshkrimin e një peticioni kundër tij.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, tha sot në Bruksel se miratimi i ligjit për amnistinë është i domosdoshëm për përparim në zbatimin e marrëveshjes, ndërsa nënvizoi se nuk do të ketë amnisti të gjerë, siç druajnë kundërshtarët e tij.

Javën që lamë pas, përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës shpallën themelimin e Kuvendit të Kosovës në shenjë mospajtimi me marrëveshjen, të cilën thanë se nuk do ta zbatojnë. Prishtina zyrtare nuk është marrë me këtë veprim, ndërsa zyrtarët serbë në Beograd thanë se ai do të dëmtojë pozicionin e serbëve dhe të Serbisë.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç, tërhoqi vërejtjen se Serbia ka detyrim ndërkombëtar të zbatojë atë për të cilën është marrë vesh me Kosovën.
XS
SM
MD
LG