Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi, pa marrëveshje


Nga bisedimet e mëhershme Kosovë - Serbi
Nga bisedimet e mëhershme Kosovë - Serbi

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, përfunduan pa ndonjë marrëveshje takimin e 15-të me radhë në Bruksel

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, nuk janë pajtuar lidhur me dukjen e fletëvotimeve të zgjedhjeve të nëntorit në Kosovë, telekomunikacionin dhe energjinë, ndërsa janë pajtuar të takohen sërish më 8 shtator.

Ata u takuan sot për të 15-tën herë për të diskutuar procesin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe mundësinë për marrëveshje të reja që kanë të bëjnë me telekomunikacionin dhe energjinë dhe mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë me tre nëntor.



Në një komunikatë për opinion të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton thuhet se “të dy kryeministrat nënvizuan përkushtimin e tyre për zgjedhje të suksesshme me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme dhe konfirmuan se do të vazhdojnë përgatitjet intensive për një proces të mirë zgjedhor”.

Diskutimet e sotme kanë ngecur edhe rreth kërkesës së Beogradit për zgjedhje të paanshme ndaj statusit politik të Kosovës.

Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic kishte deklaruar para nisjes për në Bruksel se serbët nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet komunale të Kosovës më 3 nëntor, nëse në fletëvotime do të ketë shenja të shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi përsëriti sot se zgjedhjet do të mbahen në pajtim me ligjet e Kosovës, sikundër shkruan edhe në tekstin e marrëveshjes, ndërsa përgjegjësinë për dukjen e fletëvotimeve e ka Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Ai tha se këto zgjedhje do të jenë historike meqë zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore të saj, ndërsa u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të respektojnë afatet ligjore për regjistrimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, afat ky që skadon javën që po vjen.

Kryeministri Thaçi, tha se bisedimet ishin konstruktive, ndonëse ende nuk është arritur pajtim as për telekomunikacionin dhe energjinë.

Nga pajtimi i Beogradit varet nëse Kosova do të fitojë kodin e saj telefonik. Aktualisht ajo shfrytëzon kodin telefonik të Serbisë për telefoninë tokësore, ndërsa kodet e Sllovenisë dhe të Monakos për telefoninë celulare. Sipas delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin, marrëveshja me të cilën pritet të pajtohet Serbia ishte që Kosova të kodin ndërkombëtar, 383, ndërsa për këtë të aplikojë një prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

E paqartë është edhe çështja e energjisë, meqë palët nuk kanë arritur ende pajtim për disa çështje siç është kërkesa e Beogradit për një operator të veçantë për furnizimin e komunitetit serb me energji elektrike.
XS
SM
MD
LG