Lidhje

Të enjten raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi


Bisedimet pritet të trajtojnë sfidat e zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, do të takohen të enjte më pesë dhjetor në Bruksel, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është arritur 19 prill të këtij viti.

Takimi është ftuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catheirne Ashton, e cila është shprehur e kënaqur me ecurinë e zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë, të cilat sipas saj janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Edhe kryeministri Thaçi tha se në takimin e radhës do të diskohet për përshpejtimin e procesit të zbatimit të marrëveshjes, “do të thotë për funksionimin e Policisë së Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës, instalimin e sistemit të Drejtësisë sipas legjislacionit kosovar edhe në atë pjesë të territorit të vendit, pastaj edhe funksionimin e një sistemi unik doganor dhe çështje të tjera”.

Marrëveshja e prillit mundësoi përfshirjen e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës që të përfshihen në zgjedhjet komunale të organizuara nga Prishtina. Sipas marrëveshjes, pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që do të gëzojnë një shkallë të gjerë autonomie.

Beogradi i ka siguruar serbët se me pushtetin komunal në veriun e Kosovës ata do të ruajnë lidhjet e tyre me Serbinë, ndërsa Prishtina i sheh zgjedhjet si hapin e parë të rëndësishëm drejt integrimit të asaj zone.

Por, vëzhguesit tërheqin vëmendjen në sfidat që mund të shfaqen gjatë procesit të zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve, posaçërisht në lidhje me krijimin e bashkësisë së komunave serbe.

Në përgatitje të takimit të radhës së kryeministrave, në Bruksel po zhvillohen takimet e grupeve punuese për funksionalizimin e këtij mekanizmi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG