Lidhje

Përfundojnë pa marrëveshje bisedimet Kosovë – Serbi


Bisedimet ngecën tek çështjet e gjyqësisë në veriun e Kosovës – takimi i radhës më 12 shkurt

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, përfunduan pa ndonjë marrëveshje takimin e radhës në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Pajtimi i vetëm ishte që takimi i radhës të mbahet me 12 shkurt, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili më dhjetë shkurt do të debatojë për gjendjen në Kosovë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, u shpreh megjithatë e kënaqur me takimin në të cilin siç thuhet në një deklaratë për medie, “është diskutuar për një numër çështjesh, posaçërisht për hapat e mëtejmë në dritën e zhvillimeve që priten, posaçërisht zgjedhjeve që do të mbahen në veriun e Mitrovicës, ku do të rivotohet për kryetarin e komunës dhe natyrisht zgjedhjeve në Serbi që do të mbahen së shpejti”.

Ajo vuri theksin tek “përkushtimi i delegacioneve” për të vazhduar procesin e bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se përveç çështjeve të drejtësisë, është diskutuar edhe për “mënyrën e funksionalizimit të mëtutjeshëm të komunave në veri, zgjedhjen e asambleve dhe të kryetarëve si dhe zgjedhjet që të mbahen për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore. Sipas marrëveshjes së 19 Prillit, gjithçka do të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës Kosovës”.

Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiç tha se ka pasur dallime të theksuara në qëndrimet e palëve. Sipas tij, Prishtina ngulë këmbë që në përgjegjësinë e Gjykatës themelore në Mitrovicë, bashkë me katër komunat me shumicë serbe, të përshihen edhe tri komuna me shumicë shqiptare.

Me këtë dëmtohet përfaqësimi sipas strukturës etnike për të cilën është rënë dakord më herët”, tha ai, duke shfaqur shpresën se do të gjenden zgjidhje praktike.

Ai tha se pala serbë ishte befasuar me procesin ë filluar ndaj udhëheqësit të Nismës qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, ndërsa shfaqi bindjen se “kjo nuk do të ndikojë në zgjedhjet e përsëritura në veriun e Mitrovicës”.
XS
SM
MD
LG