Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi vazhdojnë më 31 mars


Bisedimet patën një pushim më të zgjatur për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 16 marsit në Serbi

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre do të vazhdojnë më 31 mars. Njoftimi u bë i ditur nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Në njoftim thuhet se zonja Ashton, do të vazhdojë bisedimet me kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe me kryeministrin Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiç për të vazhduar punën rreth zbatimit të marrëveshjes së prillit të vitit ta kaluar.

Raundi i fundit i bisedimeve qe zhvilluar në muajin shkurt me diskutimet për çështjen e gjykatave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Të dyja palët thanë se kanë shënuar përparime në këtë fushë dhe se kishte një pajtim që në Mitrovicë të ketë një gjykatë, autoriteti i së cilës do të përfshijë shtatë komuna, por që një njësi e gjykatës të jetë në pajtim më strukturën e popullsisë në veri.

Bisedimet patën një pushim më të zgjatur për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 16 marsit në Serbi. Këto zgjedhje nxorën fituese Partinë Përparimtare serbe, të drejtuar nga zëvendëskryeministri në largim i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Dikur aleat i vijës së ashpër nacionaliste të ish presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç, pas zgjedhjeve të vitit 2012, ai mori postin e zëvendëskryeministrit. Popullariteti i tij duket se ishte pasqyrim i fushatës kundër korrupsionit dhe orientimit drejt integrimeve evropiane, të cilat kushtëzohen në masë të madhe me qasjen ndaj Kosovës.

Në janar të këtij viti, Serbia habi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Bisedimet me Serbinë i mundësuan Kosovës të hapë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG