Lidhje

Përfunduan bisedimet Kosovë - Serbi


Në Bruksel përfundoi pa marrëveshje raundi i 23-të i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Në një deklaratë për shtyp, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, që ndërmjetëson bisedimet, tha se “është e kënaqur me faktin se palët pothuajse i kanë përmbyllur debatet mbi drejtësinë. Në pritje të harmonizimeve të nevojshme pakoja do të finalizohet në takimin e ardhshëm”.
Bisedimet Kosovë-Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00


Raundi i fundit i bisedimeve qe zhvilluar në muajin shkurt me diskutimet për çështjen e gjykatave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Të dyja palët thanë atëbotë se kanë shënuar përparime në këtë fushë dhe se kishte një pajtim që në Mitrovicë të ketë një gjykatë, autoriteti i së cilës do të përfshijë shtatë komuna, por që një njësi e gjykatës të jetë në pajtim më strukturën e popullsisë në veri. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para takimit të sotëm se është i bindur që sot do të përmbyllej marrëveshja për këtë fushë, po kjo nuk ndodhi.

Megjithatë, kryeministri Thaçi tha se marrëveshja është e afërt dhe gjykatësit dhe prokurorët në veriun e Kosovës do të punojnë në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se në bisedime është arritur afrim i madh i qëndrimeve dhe sipas tij,“kryetari i gjykatës në veriun e Mitrovicës do të jetë serb, ndërsa përbërja e gjykatësve do të jetë 60 me 40 për qind. Ndërsa sa u përket prokurorëve ai tha se numri do të jetë i njëjtë.

Ai beson se marrëveshja përfundimtare pritet nga fundi i muajit prill.

Presim që pas formimit të qeverisë që do të duhej të ndodhte deri më 27 prill, më 29 prill në Bruksel të arrihet marrëveshja përfundimtare për gjyqësinë”, tha ai.

Bisedimet patën një pushim më të zgjatur për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 16 marsit në Serbi. Këto zgjedhje nxorën fituese Partinë Përparimtare serbe, të drejtuar nga zëvendëskryeministri në largim i Serbisë Aleksandër Vuçiç, që do të jetë kryeministër i ardhshëm i Serbisë.

Dikur aleat i vijës së ashpër nacionaliste të ish presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç, pas zgjedhjeve të vitit 2012, ai mori postin e zëvendëskryeministrit. Popullariteti i tij duket se ishte pasqyrim i fushatës kundër korrupsionit dhe orientimit drejt integrimeve evropiane, të cilat kushtëzohen në masë të madhe me qasjen ndaj Kosovës.

Në janar të këtij viti, Serbia habi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shpërblim për përfshirjen e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Në qershor, Bashkimi Evropian do të vlerësojë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për Serbinë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim.

Bisedimet me Serbinë i mundësuan Kosovës të hapë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG