Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi, vazhdojnë më 21 prill

  • Leonat Shehu

Zbatimi i marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është kushti kryesor për Serbinë në negociatat për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian bëri të ditur se raundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të mbahet të martën më 21 prill në Bruksel. Në një njoftim të zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, thuhet se ajo do të ndërmjetësojë të martën takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një njoftim të shkurtër thuhet se “në takim, përfaqësuesja e lartë dhe të dy kryeministrat do të shqyrtojnë përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime dhe do të shkëmbejnë pikëpamje në rrugën drejt procesit të normalizimit”.

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura vazhdon të mbetet sfidë e këtyre bisedimeve. Për Fisnik Korenicën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Serbia gjendet nën trysni për të zbatuar marrëveshjet e arritura, për shkak të rrugës së saj evropiane. Ai thotë se ky rast duhet të shfrytëzohet nga autoritetet e Kosovës.

“Topi është në anën e Kosovës e cila duhet të dëshmojë që ky dialog me Serbinë nuk mund të projektohet vetë për të arritur qëllimet e Serbisë por duhet të projektohet në mënyrë të tillë që seriozisht ti normalizoj marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe nëse është ky qëllimi unë besoj që qeveria e Kosovës bën gabim nëse vazhdon që të bëjë negociata për çështjet tjera e jo për ti zbatuar marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel. Besoj që hap i radhës së qeverisë së Kosovës do të duhet të jetë këmbëngulja në zbatimin e marrëveshjeve që i ka arritur me Serbinë e ku shumica e detyrimeve të Serbisë vazhdojnë të jenë të papërmbushura sidomos ato që lidhen me financimin strukturave dhe shërbimeve publike jo vetëm në veriun e Kosovës por në të gjitha komunat e vendit”, tha ai.

Zoti Korenica thotë se qeveria e Kosovës duhet të këmbëngul për mos hapjen e temave të reja në bisedime, pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Të bëjmë dialog seriozisht pa pasur qëllim që t’i zbatojmë marrëveshjet e arritura dhe pa e normalizuar jetën e qytetarëve që jetojnë në veriun e Kosovës, mendoj që është e panevojshme dhe po bëhet thjeshtë për qëllime simbolike, për ti bindur kinse politik bërësit në Evropë që Serbia dhe Kosova po bashkëpunojnë, por që ky bashkëpunim nuk po prek çështjet reale që në fakt e mbajnë të zgjuar tensionin ndërmjet dy vendeve”, thotë zoti Korenica.

Takimi i fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë është mbajtur më 9 shkurt kur ishte arritur marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime për hir të integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG