Lidhje

Kosova dhe Serbia me marrëveshje të re


Me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për drejtësinë në veriun e Kosovës.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini bëri të ditur se është arritur marrëveshje për drejtësinë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që rifilluan të hënën në mbrëmje.

Pas mese katër orë bisedimesh, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmbyllën marrëveshjen për drejtësinë. Zonja Mogherini nëpërmjet një komunikate tha se “kësisoj ata përmbyllën një kapitull kritik për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që do të përmirësojë në mënyrë thelbësore jetën e qytetarëve në terren”.

Ajo i ka përgëzuar të dy kryeministrat, të cilët siç thuhet, zhvilluan diskutime gjithëpërfshirëse për një sërë çështjesh dhe vlerësuan punët që mbeten për t’u përfunduar. Gjatë ditëve në vijim grupet punuese do të mblidhen për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes.

Për më tepër, të dy kryeministrat shkëmbyen pikëpamje për rrugën përpara dhe shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e përparimit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiç, janë pajtuar që të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatën e zonjës Mogherini e cila u ka shprehur të dyja palëve, siç thuhet, mbështetjen e saj për përparimin në rrugën evropiane.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan për herë të parë, për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në takimin që u mbajt pas një pushimi 10 muajsh, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç dhe për herë të parë takimi u ndërmjetësua nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Nuk janë dhënë ende hollësi rreth marrëveshjes, por pas takimit, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se “marrëveshja mundëson funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë”.

Ndërkaq, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha se gjykata themelore e Mitrovicës do të ketë numër të barabartë të prokurorëve e gjykatësve shqiptarë dhe serbë.

Çështja e gjykatave në veriun e Kosovës ishte pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet të dyja vendeve në prill të vitit 2013 në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat Kosovës i mundësuan marrëveshjen e stabilizim asocimit, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG