Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi, pa marrëveshje


Përfunduan pa marrëveshje bisedimet e së hënës që zgjaten më shumë se 16 orë

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, përfunduan pa asnjë marrëveshje për temat kryesore që ishin shtruar në tryezë.

Në një deklaratë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogheirni, e cila ndërmjetëson bisedimet, thuhet se në takim “Pas më shumë se 16 orëve të punës ne kemi arritur të pwrfundojmë tekstin e dy marrëveshjeve, në parim, për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe për zbatimin e marrëveshjeve në fushën e telekomit. Marrëveshja përfundimtare politike nuk është arritur. Do të reflektojmë për hapat e ardhshëm”.

Edhe pas 16 orë bisedimesh të dyja palët mbajnë qëndrime të kundërta në çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është bërë përparim në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por sipas tij, Prishtina nuk mund të pranojë kërkesat e Beogradit. "Ata ishin në kërkim të pushtetit ekzekutiv për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kjo është kundër ligjit dhe kushtetutës tonë," tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se në çështjen e telekomunikimeve ka pasur përparim, por sipas tij kjo marrëveshje nuk është nënshkruar për shkak të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare që të nënshkruhen të katër temat në të njëjtën kohë.

Ndërsa kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se të dy delegacionet kanë qenë shumë afër për të arritur një marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe. "Delegacioni i Prishtinës nuk ka dashur të pranojë edhe kompetencat e këtij asociacioni, të cilat janë përgjegjësi në fushën e planifikimit urban, shëndetit dhe zhvillimit ekonomik", tha ai duke nënvizuar se pala e Prishtinës ka ardhur për të mos e nënshkruar marrëveshjen. "Ne kemi arritur të ruajmë pasuritë e Telekomit dhe kemi rënë dakord që thirrjet nga Serbia qendrore të mos faturohen si ndërkombëtare," tha zoti Vuçiç.

Ende nuk dihet se kur do të mbahet raundi tjetër i bisedimeve, në një kohë kur arritja e këtyre marrëveshjeve është e domosdoshme për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.

XS
SM
MD
LG