Lidhje

Kosova akuzon Beogradin për moszbatim të marrëveshjeve


Qeveria e Kosovës tha se nuk do të ndërmarrë asnjë hap për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa “Serbia të mos heq bllokadën për kodin telefonik, të mos zbatojë marrëveshjen për energjetikën dhe të mos heq barrikadën nga ura qendrore në qytetin e Mitrovicës”.

Në një raport dërguar Bashkimit Evropian mbi procesin e bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, qeveria shkruan se “asociacioni nuk do të mund të krijohet në një situatë e cila vazhdon të jetë paradoksale dhe në të cilën njëkohësisht veprojnë edhe komunat ligjore edhe ato joligjore, në veçanti në veriun e Kosovës”. Në raport thuhet se Asociacioni nuk do të zbatohet pa shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave paralele serbe.

Raporti thekson se Serbia është vonuar në heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, në Mitrovicë, ndërsa “BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë procesin e revitalizimit i cili duhej të përmbyllej këtë muaj”.

Qeveria pohon se e ka njoftuar rregullisht BE-në për bllokadat që Serbia po i bën Kosovës, por “BE-ja nuk ka bërë trysni të mëtejme mbi Serbinë”.

Qeveria e Kosovës rithekson përkushtimin ndaj bisedimeve që sipas saj ndihmojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përparimin në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Raporti nxiti regime në Beograd. Shefi i zyrës serbe për Kosovë në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, tha se “kushtëzimet e Prishtinës do të duhej të trajtoheshin nga përfaqëusesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse me këtë po vihet në pikëpyetje, siç tha, besueshmëria e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”.

Kosoav dhe Serbia tash e pesë vjet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në.

Marrëveshja për krjimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe çoi në krizën më të thellë politike në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë së saj, për shkak të reagimeve të partive opozitare që vlerësojnë se ai asociacion do të dëmtojë sovranitetin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG