Lidhje

Daçiç për zgjedhjet në Kosovë


Kosovo, Ivica Dacic
Kosovo, Ivica Dacic

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se rruga evropiane e Serbisë mund të dështojë për shkak të qasjes serbë ndaj zgjedhjeve lokale në Kosovë

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha të enjten se qasja serbe ndaj zgjedhjeve për pushtetin lokal në Kosovë mund të dështojë rrugën evropiane të Serbisë.

Ai tha në një konferencë më gazetarë në Beograd se në fillim të muajit gusht kalon afati për dorëzimin e listave zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe nëse nuk ka qasje konstruktive, mund të dështojë jo vetëm marrëveshja e Brukselit, por edhe rruga evropiane e Serbisë.

“Qëllimi ynë nuk ishte lartësimi i marrëveshjes së Brukselit, por rruga evropiane e Serbisë”, tha ai duke nënvizuar se në takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi më 24 korrik në Bruksel, krahas çështjeve të telekomunikacionit dhe energjisë do të bisedohet edhe për zgjedhjet lokale në Kosovë

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiç, parasheh një shkallë të lartë të autonomisë për komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Marrëveshja parasheh krijimin e një asociacioni të komunave serbe, që duhet të ndodhë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë që do të mbahen më tre nëntor, një datë kjo e përcaktuar në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Autoritetet në Kosovë e vlerësojnë me rëndësi pjesëmarrjen e në këto zgjedhje të qytetarëve të komunitetit serb në komunat veriore të Kosovës. Ata thonë se “pjesëmarrja do t’u mundësojë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre të ligjshëm, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”.

Përfaqësuesit lokal të serbëve në veri themeluan një javë më parë atë që ata e quajnë “Kuvendi i Kosovës dhe Metohisë”, duke hedhur poshtë çdo mundësi të përfshirjes së tyre në rendin kushtetues e juridik të Kosovës.

Analistët serb thonë ndërkaq se çështja megjithatë mbetet në duart e autoriteteve të Beogradit dhe serbët në veriun e Kosovës do të detyrohen të veprojnë në bazë të udhëzimeve që marrin nga Beogradi, i cili është zotuar se do të zbatojë tërë atë për të cilën është marrë vesh me Prishtinën në bisedimet e Brukselit.

Marrëveshja i mundësoi Kosovës hapjen e negociatave për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbisë, ato për anëtarësim në janar të vitit që po vjen. Por, data e saktë e fillimit të tyre, varet nga zbatimi në terren i marrëveshjes me Kosovën.
XS
SM
MD
LG