Lidhje

Beogradi nxit serbët e Kosovës të dalin në zgjedhje


Udhëheqësit më të lartë të Serbisë thanë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës siguron mbrojtje të interesave serbe

Udhëheqësit më të lartë të Serbisë, u bënë thirrje përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal të tre nëntorit si rrugë e luftës për mbrojtjen e interesit kombëtar dhe shtetëror serb. Ata i bënë këto komente pas një takimi me përfaqësues politikë të serbëve nga komunat veriore të Kosovës. Mediet serbe thanë se presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç, u ka thënë atyre se Beogradi nuk do ta mbështesë vendimin e mundshëm për bojkotimin e zgjedhjeve.

Beogradi, thirrje serbëve të Kosovës për zgjedhjet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Këshilltari i tij Marko Gjuriç, tha se pjesëmarrja në zgjedhje është mënyra më e mirë për mbrojtjen e interesave serbe.

Formimi i komunave që do të ngrihen në bazë të parimit të paanshmërisë ndaj statusit të Kosovës, që del nga marrëveshja, duhet të jetë mënyra e luftës si shtet dhe si popull për interesat tanë në periudhën vijuese” tha ai, duke nënvizuar se “nga hapat në ditët dhe javët që vijnë, do të varet nëse këtë do ta shndërrojmë në fitore apo në mossukses”. Ai tha se Beogradi nuk do të lërë vetëm serbët e Kosovës pavarësisht nga vendimi i tyre.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Marrëveshja parasheh pas zgjedhjeve krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që do të kenë një shkallë të lartë autonomie.

Autoritetet serbe thonë se sikurse të gjitha marrëveshjet edhe këto zgjedhje duhet të jenë të paanshme ndaj statusit politik të Kosovës, përfshirë edhe fletëvotimet për këto zgjedhje, që nuk mund të kenë, shenja të shtetësisë së Kosovës.

Sigurisht që nuk do të lejojmë që çfarëdo hollësie që paragjykon të ashtuquajturën pavarësi të kalojë dhe me provokime të tilla nuk mund të flitet për zgjedhje normale, por mendoj se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë të tejkalohet parimi i paanshmërisë”, tha këshilltari i presidentit serb.

Në Prishtinë, autoritetet po u bëjnë thirrje serbëve të dalin në zgjedhje për të siguruar përfaqësimin e tyre të ligjshëm në institucione, ndërsa tërheqin vëmendjen se në marrëveshjen e 19 prillit, thuhet se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve në veri do të bëhet me mbështetjen e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Në fund të këtij muaji, kryeministrat e të dyja vendeve pritet të takohen sërish në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes që është kusht për përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG